Erik Larson
“Djalli në qytetin e bardhë”
Përktheu: Përparim Mulosmani
Botoi: “Ombra GVG”
Çmimi: 1200 lekë
Në Çikago, në fund të shekullit XIX, në mes të tymit të industrisë dhe zhurmës së trenave jetonin dy njerëz, që të dy të pashëm, që të dy me sy të kaltër dhe që të dy ekspertë në profesionet e zgjedhura. Secili përvetësonte një element të një dinamike të lartë që karakterizonte “nxitimin” e Amerikës drejt shekullit XX. Njëri ishte arkitekt, ndërtues i shumë prej strukturave më të rëndësishme të Amerikës, ndërmjet tyre Flatiron Building në New York City, ndërsa tjetri ishte një vrasës, një nga më famëkëqijtë në histori dhe përfaqësues prototip amerikan, një vrasës serial urban. Megjithëse ata nuk u takuan kurrë, të paktën jo formalisht, fatet e tyre ishin të lidhura me një ngjarje të vetme, magjike, një ngjarje që përgjithësisht është venitur nga memoria moderne, por që në kohën e vet ishte konsideruar të përmbante një fuqi pothuajse të njëjtë me atë të Luftës Civile.
Rovena Rozhani
“Po vjen Babagjyshi”
Gjinia: Poezi
Çmimi: 200 lekë
“Po vjen Babagjyshi” është një libër me 21 vjersha, të shoqëruara me skica për ngjyrosje dhe lojëra në letër nga gazetarja Rovena Rozhani. “Poezitë për Vitin e Ri, për Pemën e tij, për kartolinat, e sidomos për Babagjyshin, vijnë me një gjuhë të thjeshtë dhe të hapur dhe që zgjojnë pamjet konkrete të festimeve të ndërrimit të viteve. Mbi të gjitha të paraqesin Babagjyshin, ëndrrën e të gjithë fëmijëve të botës, pra edhe të Shqipërisë”, shkruan studiuesi Behar Gjoka, redaktor i librit.
Namik Sali Jahaj
“Misteret e Shënmjegullës”
Botoi: “AlbPaper”
Çmimi: 700 lekë
Libri i shkrimtarit Namik Salihaj sjell për lexuesit vijimisht në ditët tona rrëfimet, këngët, mortet, gojëdhënat, legjendat dhe baladat e vendlindjes në Lumin e Vlorës. Të gjitha këto shkrimtari i ka shkrirë në rrëfimin e tij për realitetin kompleks të ditëve të sotme. Në brendësi të librit të Jahajt gjendet edhe novela “Ismail Qemali në sofrën e Mesapalikut” e cila në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë, është himn dhe mesazh për burrin e madh të shtetit.
Alan Stewart
“Letrat e Shekspirit”
Përktheu: Nikolla Langore
Botoi: “Plejad”
Çmimi: 1200 lekë
“Ndonëse Shekspiri joshet nga modelet klasikë teatrorë për thurjen e fabulës ku ai fut letrat, Letrat e Shekspirit, megjithatë, do të përqendrohen në specifikën historike të asaj që unë do ta quaj ‘gramatika e letrave’ të tij: një fjalor dhe një seri imazhesh që e kanë burimin në praktikat materiale të kulturës së shkrimit të letrave në Anglinë e hershme moderne. Thënë ndryshe, ndonëse Shekspiri sjell një sfond që nis nga luftërat e Trojës, përmes Romës dhe Britanisë së lashtë, kultura e letrave që ai paraqet, është prerazi ajo e Anglisë Elizabetiane”, shkruan autori.
09.12.2012
Burimi: Gazeta Shqip
Librat e rinj