Champions
Skënderbeu luan sot në orën 20:30 në shtëpi ndeshjen e parë të turit të dytë paraeliminator të Champions League kundër skuadrës hungareze
Trajneri i kundërshtarëve: “Fitore, për të siguruar turin tjetër që në Korçë”
Vjen ora e së vërtetës për Skënderbeun. Kampionët e Shqipërisë do të zbresin sot në orën 20:30 në stadiumin e qytetit të Korçës për t’u përballur me hungarezët e Debreçenit në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator të Champions League.
Tradita – Korçarët nuk kanë shumë traditë në Kupat e Europës, megjithatë entuziazmi për kualifikimin është i madh, edhe pse kundërshtari është shumë herë më ekspert në kompeticionet kontinentale, ndërsa konsiderohet si një nga skuadrat më e suksesshme në këto 10 vitet e fundit në Hungari. Kundrejt vetëm dy ndeshjeve (dy humbje) të Skënderbeut, Debreçen, nga ana tjetër, ka luajtur 24 ndeshje Champions me 8 fitore, tri barazime dhe 13 humbje. Por kjo nuk e tremb aspak trajnerin çek të kampionëve të Shqipërisë, Stanislav Levi. “Kam fjetur mirë mbrëmë (natën e së hënës), dhe njëlloj do të fle edhe natën para ndeshjes”. Kështu e ka nisur konferencën e për shtyp të pragndeshjes në turin e dytë paraeliminator të Champions-it ndaj hungarezëve.
“Jo frikë, respekt” – “Kemi zhvilluar një fazë përgatitore shumë të mirë dhe kam shumë besim te grupi i futbollistëve që kam në dispozicion, se do të zhvillojmë një ndeshje të mirë në shtëpi, përballë tifozëve tanë”, theksoi Levi në deklaratën e tij para gazetarëve. Tekniku çek e di mirë që përballë do të ketë një skuadër me traditë më të madhe në Kupat e Europës, por kjo duket se nuk e tremb aspak. “Nuk kemi frikë nga asnjë kundërshtar, por vetëm respekt, e njëjta gjë vlen edhe për Debreçenin”, shtoi drejtuesi i pankinës së “Ujqërve të Dëborës”.
Skënderbeu në sulm – Për këtë arsye, tekniku i korçarëve ka kërkuar që skuadra e tij të mos impresionohet nga kundërshtari, por të sulmojë në kërkim të fitores në shtëpi: “Do të luajmë futboll ofensiv, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi kundërshtari është i rrezikshëm. Ata janë një ekip i mirë dhe mund të na ndëshkojnë nëse nuk do të jemi të vëmendshëm. Por nuk ka shumë diferenca mes dy ekipeve. I kam ndjekur në ndeshjen e tyre të fundit, ku zhvilluan një pjesë të parë të mirë, ndërsa në të dytën një nivel më të ulët”.
Kualifikimi – Për sa i përket pyetjes së drejtpërdrejtë në lidhje me skuadrën që do të kualifikohet në këtë përballje, tekniku çek i korçarëve ka nënvizuar se “nëse japim më të mirën, atëherë do të kualifikohemi. Por e theksoj, duhet të jemi të përqendruar dhe shumë të kujdesshëm, për të mos bërë gabime, që do t’ia lehtësonin punën kundërshtarit të shënojë në portën tonë. Ne e dimë mirë që kualifikimi do të vendoset vetëm pas dy ndeshjesh dhe unë besoj se do të jemi ne ata që do të kalojnë në turin tjetër”. Gjatë kësaj periudhe, Levi ka ndjekur formën e ekipit të tij, i cili për sfidën e sotme ndaj hungarezëve do të ketë një mungesë të vetme, por shumë të rëndësishme, atë të kapitenit Blendi Shkëmbi.
Njëmbëdhjetëshja enigmë – “Kapiteni shkëmbi është një nga lojtarët kyç të skuadrës sonë, ndaj mungesa e tij rëndon. Megjithatë mendoj se nëse do të luajmë si një ekip kompakt, një gjë e tillë nuk do të ndihet”, u shpreh numri një i pankinës së korçarëve, i cili nuk ka dashur ta bëjë publik formacionin me të cilin Skënderbeu do të sfidojë sot në orën 20:30 Debreçenin. “E kam të qartë në kokën time, por për momentin nuk dëshiroj ta bëj publike. Do ta mësoni vetëm para fillimit të ndeshjes”, ka përfunduar konferencën e djeshme për shtyp trajneri Stanislav Levi.
Kundërshtari – Debreçeni ka zbarkuar prej mesditës së të hënës në qytetin e Korçës dhe në orën 19:30 të mbrëmjes së djeshme ka zhvilluar edhe stërvitjen e fundit në stadiumin “Skënderbeu, ku do të luhet edhe ndeshja sonte. Pak para fillimit të ndeshjes ka dhënë një konferencë për shtyp trajneri i miqve, Elemer Kondas, i cili ka nënvizuar se skuadra e tij vjen në Shqipëri për fitore dhe për ta realizuar një gjë të tillë do të japë maksimumin sot në fushën e lojës. Madje Kondas beson se Debreçeni ka “shansin të sigurojë kualifikimin që në Korçë”. Megjithatë për sfidën e sotme hungarezët paraqiten me 4 mungesa: dy sulmuesit Sidiba Ibrahima e Rogui Meje, mbrojtësin Bence Ludazhki dhe mesfushori Selim Boudla.
17.07.2012
Burimi: Gazeta Shqip