Shtyhet afati për përdorimin e bonove të privatizimit. Komisioni i Ekonomisë voton për zgjatjen e afatit. Bonot e privatizimit do të mund të përdoren ato deri në fund të vitit 2021. Komisioni i Ekonomisë, me propozim të deputetit Anastas Angjeli, votoi për shtyrjen me tre vite të vlefshmërinë e përdorimit të tyre. Ndërsa projektligji që ishte depozituar në Kuvend në muajin maj parashikonte shtyrjen deri në fund të vitit 2020-të.
Legalizimet, bonove të privatizimit u shtyhet afati edhe tre vjet …
Por pse kërkohet të zgjatet vlefshmëria në treg e këtyre letrave me vlerë dhe për çfarë shërbejnë ato? Në bazë të ligjit në fuqi, me to mund të kryhet pagesa për legalizimin e banesave, por nisur nga ecuria e këtij procesi ALUIZNI duket se nuk ka shprehur interes për t’i përdorur, duke pranuar vetëm pagesa në lekë.
Mbi këtë argument, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë kërkuan që institucionet të jenë edhe më agresive në informimin mbi përdorimin e bonove. Kjo pasi jo të gjithë qytetarët kanë dijeni të plotë për këtë procedurë, edhe pse disponojnë në shtëpitë e tyre një sasi të konsiderueshme të letrave me vlerë.

Projektligji
Amendimi i radhës që u miratua në dje në komisionin e Ekonomisë, në ligjin për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit, të nxjerrë fillimisht në vitin 1995-ë, korrigjon afatin e përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit deri më 31 dhjetor 2020-të. Deri tani, afati i këtyre letrave me vlerë është shtyrë disa herë. Kjo pasi parashikohej që në fund të vitit 1996 ato të humbisnin fuqinë ligjore.
Legalizimet, bonove të privatizimit u shtyhet afati edhe tre vjet …
Herën e fundit, qeveria ka shtyrë deri në fund të vitit 2018 vlefshmërinë për bonot e privatizimit. Sipas ligjit në fuqi, këto bono janë të tregtueshme midis individëve vendas dhe të huaj si dhe janë të vlefshme edhe në procesin e privatizimit të objekteve shtetërore.
Po kështu, ato mund të përdoren edhe në legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi. Nga këto u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.
Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Këto letra me vlerë i kanë shërbyer fare pak arritjes së qëllimit dhe përmbushjes së objektivit fillestar dhe thelbësor, për të cilin u emetuan dhe u shpërndanë ato, që nga viti 1995, rishpërndarjen e pasurisë kombëtare të krijuar gjatë viteve të komunizmit, në publikun shqiptar mbi një moshë të caktuar.
Gjatë viteve 1995-96 me anën e metodës së privatizimit masiv, letrat me vlerë u përdorën për të privatizuar disa ndërmarrje, ose pjesë të tyre, por këto prona të shtetit ranë në duar të firmave piramidale, të cilat pastaj u shitën sërish.
Për lajm-shqip:
Jorida Fataj
19.06.2018