Le monde: Dhëndëri i Trump është për ndarjen e Kosovës. Në një shkrim që gazeta Le Monde, e datës 14 gusht, ia ka kushtuar debatit të fundit për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, zbulohen detaje të frikshme të asaj që mund të ketë vënë në lëvizje këtë ide të rrezikshme.
Le monde: Dhëndëri i Trump është për ndarjen e Kosovës…
Sipas gazetës, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që ka qenë një partizan më i hershëm i kësaj zgjidhjeje, ka marrë një shkelje syri nga SHBA-ja.
“Pas një takimi me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, në fund të korrikut, Daçiq pohoi se “të gjitha kartat ishin mbi tavolinë” shkruan e përditshmja franceze e referencës. Ajo e komenton kështu këtë fakt: “Për një kohë të gjatë kundër çdo lloj ndryshimi të kufirit, Uashingtoni, që e mbështet Kosovën që nga lufta e 1999-s, duket se e ka zbutur qëndrimin pas ardhjes së Donald Trumpit në pushtet. Kjo ka mbërritur deri në atë pikë sa shumë diplomatë evropianë dyshojnë se SHBA-ja mund të merret vesh për një zgjidhje me Rusinë, që ka qenë një mbështetëse historike e Serbisë”, komentohet në shkrimin e Lapsi.al.
Pasi thekson, që në krye të artikullit, se kjo perspektivë i frikëson evropianët, gazeta citon edhe deklaratën e kancelares Merkel. Këtë të hënë, ajo tha: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit është i vendosur dhe i pandryshueshëm”. Duke sqaruar se britanikët tashmë e kanë refuzuar këtë zgjidhje. Gazeta citon një ekspert të Ballkanit. Pierre Mirel, ish-përgjegjës për gadishullin tonë në BE.
Ai thotë: “Është një rrezik i madh për rajonin që mund të krijojë një përshkallëzim të kërkesave. Për shtete me kufij etnikë” në vende si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja. Pikërisht për këtë, gazeta kujton se pas debatit të hapur nga Thaçi, presidenti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, deklaroi: “Territori i tij duhet të ndahet nga pjesa tjetër e vendit. Jo pa qëllim Le Monde thekson: “Milorad Dodik është një njeri i afërt i Putinit. Po aq sa edhe i qarqeve «alt-right» të Amerikës. Që kanë lidhje me ish-eminencën gri të Trump, Steven Bannon.

Për Lajm-shqip
Vladimir Muçaj