Lajm Shqip

Lajmet më të fundit
  • Kreu
  • AKTUALITET
  • POLITIKË
  • EKONOMI
  • KRONIKE
  • SOCIALE
  • KULTURE
  • LIFESTYLE
  • FOTO-LAJM
  • GAZETA
Lajm Flash
  • POLICIA E SHTETIT: EDHE 7 DITË NGA MBYLLJA E APLIKIMEVE PËR OFICERË TË POLICISË KRIMINALE   |   2 vite më parë

  • ZËRI I AMERIKËS/ SHQIPËRI: SPITALET COVID MBINGARKESË PACIENTËSH NGA TË GJITHA MOSHAT   |   2 vite më parë

  • OFL: FORMULARË TË DEKLARIMIT TË PASURISË PËR 3 “TË FORTËT” NË BERAT   |   2 vite më parë

  • COVID-19, RËNDOHET SITUATA / HUMBIN JETËN 5 PACIENTË DHE INFEKTOHEN 154 NË 24 ORË   |   2 vite më parë

  • KURSI I KËMBIMIT, 13 GUSHT 2020   |   2 vite më parë

  • TABAKU: RAMA GËNJEN SHQIPTARËT! BILANCI I TIJ: NË 7 VITE KA NDËRTUAR VETËM 22 KILOMETËR RRUGË!   |   2 vite më parë

  • VELIAJ FALENDERON QYTETARËT: MIRËNJOHJE QYTETARËVE QË MBAJNË MASKA NË AUTOBUSË   |   2 vite më parë

  • KURSI I KËMBIMIT/ VAZHDON TË FORCOHET EURO   |   2 vite më parë

  • DITA NDËRKOMBËTARE E RINISË/ META: BASHKOHUNI DHE MERRNI NË DORË FATET TUAJA DHE TË ATDHEUT TONË!   |   2 vite më parë

  • HOROSKOPI MUJOR, GUSHT 2020   |   2 vite më parë

  • COVID-19, MSH: 125 raste të reja në 24 orët e fundit. Humb jetën një paciente nga Vlora   |   2 vite më parë

  • ZYRTARE/ ILIR DAJA ËSHTË TRAJNERI I RI I PARTIZANIT   |   2 vite më parë

  • PARASHIKIMI I MOTIT/ JA SI NIS JAVA   |   2 vite më parë

  • 5 ARSYE PËRSE GRATË DUHET TË MASTURBOHEN RREGULLISHT   |   2 vite më parë

 
Ndodhesh nëKreu»LAJMI I FUNDIT»Intervistë/ Polifonia femërore si filigran i polifonisë labe dhe folklorit shqiptar
Intervistë/ Polifonia femërore si filigran i polifonisë labe dhe folklorit shqiptar
Intervistë/ Polifonia femërore si filigran i polifonisë labe dhe folklorit shqiptar

Intervistë/ Polifonia femërore si filigran i polifonisë labe dhe folklorit shqiptar

4 vite më parë Komento

Intervistë e gazetarit Enrik Mehmeti me studiuesin e Etnologjisë dhe Folkorit, Master i Shkencave, Albert Habazaj.

Albert Habazaj është drejtues artistik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” dhe autor i teksteve të këngës së këtij grupi, repertori i të cilit plotësohet edhe nga krijuesit pararendës Xhebro Gjika, Petro Marko, Kujtim Mici, Lefter Çipa, Pelivan Bajrami dhe Llambro Hysi.

 Të ngjashme mund të lexoni:

  • Gomonia e kapur, policia kontroll nëpër banesat e fshatrave 
  • Prefekti i Qarkut Vlorë ‘derë më derë’ nëpër institucione

 

Enrik Mehmeti (gazetari): – Z. Habazaj, ju jeni poet, publicist, kritik letrar, katalogues e bibliograf. Jeni veprimtar shoqëror, njëkohësisht i njohur edhe si studiues i etnologjisë dhe folkorit. Është një pasion i juaj apo keni studiuar në këtë fushë të etnokulturës?

Albert Habazaj: – Së pari, faleminderit për intervistën, gazetar i nderuar, i guximshëm dhe dobiprurës për shoqërinë, miku im Enrik Mehmeti. Studimtaria e kulturës popullore dhe veçan folkori është një pasion imi i hershëm. Është i trashëguar nga babai im, i paharrimti i bardhë, Rexhep Abazi. Mësues i njohur e i nderuar dhe një këngëtar polifon i spikatur, që realizoi një risi në këngën labe, me elementin e dytë për nga rëndësia, në thyerjen e këngës. Ishte babai im që futi i pari kthyerjen me grykë në këngën e grupit polifonik të Tërbaçit, me marrës Sinan I. Hoxhën. Ajo këngë u pasurua artistikisht në tekst, melodi, veshje e interpretim në vitet 1970-1973 e në vijim. Kjo falë edhe aftësive të mrekullueshme krijuese e drejtuese të Dragoit të Këngës Labe, Kujtim Micit të Tërbaçit, që i dritëroftë kujtimi dhe atij!

Ndoshta është edhe geni që rrjedh qysh nga kastërgjyshi, Sinan Abazi i Parë, kryeplak i Tërbaçit. Në vitet 1850-1857 ai strehoi, bashkë me parinë e fshatit, 13 Bilbilenjtë me histori (që kanë vepruar rreth viteve 1850-1860) në Shpellën e Somait, që më vonë e deri sot quhet Shpella e Birbilejve. Sinan Abazi i Parë ishte edhe krijues popullor e këngëtar i dëgjuar i teksteve poetike, që improvizonte aty për aty për ngjarje, personazhe, për jetën në rrjedhat e kohës. Ndoshta aty e ka fillimtarinë gjeneza ime poetike…

Vetë jam angazhuar me grupet polifonike, qysh në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo” (1967-1970, shkolla fillore në Gryka dhe 1970-1975 lart në fshat deri në përfundimin e klasës së tetë). Isha marrës i dy këngëve të grupit të fatosave dhe pionierëve të shkollës. Njërën këngë vetëm, “Zemrën shkëmb e ballin lart”, tjetrën me këngëtaren shkëlqimtare, Nazo Dautaj (Diana Ribaj), “Të lutem, o nënën e dashur”,  baladë recitative kushtuar dëshmorit të lirisë Riza Salati, me tekst e melodi të Kujtim Micit. Aty unë interpretoja djalin e dëshmorit, ndërsa Nazua ishte nëna ime në këngë.

Nazon e kisha shoqen e bankës 8 vjet, nga klasa e parë deri në klasë të tetë. E kam shoqe të ngushtë gjatë gjithë jetës bashkë me kushërirën time aq të mirë e të zonjën, Shpresa Kapo Çelaj, me sinqeritetin më të pastër shoqëror. Të tre bashkëmoshatarë. Idealistë të mrekuellueshëm. Në përgjithësi mirrja pjesë në mbushje të këngës (iso i thonë ndryshe). Kthyes qe i veçanti Krenar Mehmeti, shoku im më i ngushtë i fëmijërisë. Mirrnim pjesë në konkurime zonale e kemi dhënë shfaqje deri në Vlorë. Bëhej jetë e gjallë artistike e kulturore, ndërkohë që me mësime ishim shumë mirë.

Në vijim, në Tiranë nga vitet 1975-1979, ku kreva Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, krijuam një grup polifonik të shkollës, ku isha në rolin e marrësit dhe përgjegjës i grupit. Më tej, në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, si kthyes i këngës së grupit të njohur të kësaj shkolle me marrëse dinjitozen Sheqere Mema, nga Gramshi, por që ia merrte aq bukur këngës labe. Pothuaj, asnjëherë nuk jam shkëputur nga kënga labe.

Albert Habazaj me Lefter Çipën- princin e lirikës polifonike titan i shpirtit të kombit

Edhe pse nuk kam qenë këngëtar me emër, si im atë, ato këngëtarë të tjerë zëbilbila, jam bir i këngës. E dua shumë këngën labe, e cila është shufër floriri në thesarin e folkorit shqiptar.

Përveç pasionit dhe studimtarisë fakultative, kam dashur të marr njohuri shkencore për folkoristikën dhe etnografinë shqiptare, të popujve të Ballkanit e më gjerë. Me këtë synim nisa dhe kreva studimet në sistemin me kohë të plotë (2011-2013) të ciklit të dytë “Master Shkencor” në Qendrën Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit në Tiranë. E përfundova me rezultate të shkëlqyera dhe fitova diplomën “Master i Shkencave në Etnologji-Folkor”. Atje mbrojta mikrotezën “Lufta e Vlorës-historia në epikën historike”, vështrim krahasimtar, të cilin, në vitin 2016,  e botova si studim monografik. Kishte 204 faqe dhe e botova në shtëpinë botuese “Neraida”, Tiranë.

Ç’ta zgjas, kthehemi tek çështja konkrete, e dobishmja konkrete e mundshme për folkorin dhe polifoninë nga ana ime si kërkues dhe studiues i kësaj fushe. Përveç shumë shkrimeve në shtypin e përditshëm manual dhe online, kam marrë pjesë në simpoziume e konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare me kumtesa. Kam qenë në juri të festivaleve rajonale në Vlorë dhe ajo që paraqet interes kam ngritur një grup polifonik vetëm me femra. Më saktë kemi riformatuar një grup grash të mrekullueshëm.

Para rreth dy vjetësh, më saktë  më 1 gusht 2016, në një takim me Shpresën dhe Nazon shfaqëm dëshirën e riformatimit të grupit të vajzave të Mesaplikut. Ky grup shkëlqeu në Festivalin e Tretë Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, 1978, me këngën himn “Gjurmë të kuqe borës latë” me tekst e melodi (muzikë) të Kujtim Micit. Ky grup është i veçantë e pothuaj unikal në Shqipëri, që  fisnikëron bukurinë e folkorit dhe po i rrit dinjitetin emancipues polifonisë labe. Po bën një emër të mirë, serioz, me mesazhe të qarta e të larta artistike, estetike dhe morale-sociale.

Enrik Mehmeti (gazetari) –  Kemi dëgjuar për këtë grup dhe nga të tjerë, edhe nga shkrimet tuaja, biles kemi parë disa prezantime dinjitoze të këtij grupi në veprimtari lokale e kombëtare.  Kam shumë kërshëri të më thoni më tepër për këtë grup, por për lexuesin e gazetës sonë donim të dinim diçka më hollësisht për këngën labe, për polifoninë, se … dhe një tis mjegulle na turbullon për ta shijuar këtë pasuri.

Albert Habazaj: – Ti, gazetar, ke të drejtë. Kur erdhi demokracia, e cila për fat të keq ka marrë një virus tërbimi, u turbullua dhe folkori. Na u shpikën e na e shpifën ca turbofolqe e tallavara të tipit: “Llaç, lluc’, lluq, plluq…”, që të ndotin shijet artistike të tekstit, melodisë e interpretimit, vlerat estetike të kësaj kënge të hijshme bukuroshe. Tisi i mjegullës është ende një cipë e hollë, mos u trashtë, se deformon keq shpirtin e popullit që e ka krijuar e selitur këtë thesar në këngë e në valle. Tema e pyetjes tënde është e gjerë.

Unë do ta ngushtoj, pa u bezdisur shumë. Këngë labe këndohet vetëm me dy, tre apo me më shumë njerëz që dinë të interpretojnë sipas stileve të ndryshme muzikore labërisht. Patjetër duhet ta kenë natyrale këtë dhunti në qenien e tyre e në shpirtin e tyre të gëlojë kultura muzikore labe. Kjo ngjet tek ata që banojnë në Labëri apo njohin ato mjediset ku kënga labe jeton gjallërisht etj. Që të quhet këngë labe një material i poezisë popullore, duhet të këndohet sipas stileve muzikore që ka çdo fshat, apo krahinë.

Krijuesit, bartësit dhe interpretuesit mbështeten në traditën foklorike të lagjes, të fshatit, të zonës dhe e pasurojnë këngën. E pasurojnë me elementë të rinj, më të pëlqyeshëm, ritmikë, që edhe fitojnë popullaritet nëpërmjet përhapjes në komunitet e qarkullimit folkorik. Që të bëhet kënga labe do marrësin, kthyesin, hedhësin dhe mbushjen, ison apo grupin e këngëtarëve që ia bëjnë “eee”. Vetëm me iso nuk mund të ketë këngë labe. Pa iso këndohet në Labëri. Edhe një i vetëm. Edhe dy. Edhe tre. Kujtojmë Zeqo Kallaratin me monofoninë brilante baladeske “Ç’u këput një këmbë mali!”. Kujtojmë Fatbardha Hosin apo Evgjeni Jonuzin me ninullat e tyre etj., apo treshen e famshme të Dukatit me Leko Gjolekën, Bego Vangjelin e Sulo Bozhanin me njësitë e rralla folkorike “Atje, te lisi në brinjë”, “Ranë kartërat në Vlorë”, “O Dervish Aliu, dole”! etj, pa u hapur në komente të panevojshme.

10 shqiponjat e Tërbaçit në vallen Shtëpitë e bardha në Brinjë -Presidencë 19.06.2017

Përdoren edhe intrumenta popullorë si cula dyjare e fyelli prej druri, në përgjithësi dhe në Vranisht prej guri nga mjeshri i vetëm që kemi, artisti 80 vjeçar Selman Pazaj. Sot është në modë kënga polifonike, ajo shumëzërëshe, që këndohet në grup, sipas parimeve specifike të këngës labe. Sipas atyre ligjeve të pashkruara që respekton rreptësisht folkori. Sipas varianteve përkatëse të banorëve që aplikon këtë lloj kënge. Si në rrafsh krahinor ashtu edhe kombëtar janë afirmuar stili gjirokastrit, smokthinjot, himariot, kaniniot, dukatas, tërbaçiot, piluriot, bënçor.

Këto stile me individualitetin muzikor, zhvillimin e mjeteve shprehëse, vlerat estetike ndikojnë e rrezatojnë mbi sivëllezërit e këngës dhe na mbushin me freski. Na mbushin me origjinalitet e bukuri jo vetëm në shpirt. Kënga labe ka lindur qysh me labin e parë mbi këtë dhè, me banorin e parë që u shfaq, që është rritur, ka jetuar dhe ka ndërtuar jetën në këto troje e hapësira të Shqipërisë Jugperëndimore e Jugore. I thonë Labëri. Kënga labe është sa mosha e maleve tona, e lumenjve tanë, është sa mosha e kësaj toke.

Por, këndohet një këngë ndër viset tona labërore: “Farën që s’ ësht’ jona/ toka jonë s’e rrit…”. Kjo njësi folkorike, kjo mrekulli e kulturës shpirtërore të banorëve të krahinës etnografike të Labërisë na thërret kujtesën vetiake e atë sociale. Na thërret kujtesën e shkruar dhe atë të transmentuar brezash gojë më gojë, si stafetë identiteti dhe dinjiteti, krahasuar me të tjerët. Nuk kemi dëgjuar asnjë banor të Labërisë deri më sot të thotë: “Hajt t’ja marrim një isopolifoniçe!”, por “Hajt t’ja marrim një zë/ të na bëhen dy zë…, labçe, vënçe, himarioçe”. Ia merr njëri, ia kthen tjetri, ai që thyen këngën, ia hedh i treti dhe të tjerët mbushin këngën (apo bëjnë eee, iso, siç është futur në qarkullim edhe ky term).

Por, asnjëherë nuk nis kënga labe me iso. As dje, as sot, as nesër, sepse “Farën që s’ ësht’ jona/ toka jonë s’e rrit…”. Krijuesi i talentuar popullor dhe studiesi i etnokulturës Llambro Hysi, ngre shqetësimin se shkruhet e thuhet se polifonia labe na e paska origjinën dhe fillesat e saj te liturgjia kishtare. Por harrohet që liturgjia është një këngë korale kishtare e kultivuar. E anasjellta mund të jetë e vërtetë: Liturgjia kishtare mund ta ketë origjinën te polifonia pagane e popujve të lashtë. Çdo kultivar i ri e ka origjinën tek fara e egër në natyrë.

Duan e thonë që kënga labe na qenka isopolifoni. Termi “isopolifoni” kumbon bukur, por nuk thotë thelbin e gjësë. Polifonia është e tëra; isua është pjesa. Në Labëri isos i thonë mbushje dhe këngëtarëve të isos mbushësa. Isua nuk thotë, nuk kumton asgjë. Isua është llaçi që mbush boshllëqet midis gurëve dhe lidh gurët e rëndë (marrësin, kthyesin, hedhësin) në kalanë e lashtë që quhet polifoni. Por asnjë kala, fortesë a godinë nuk e ka marrë emrin nga llaçi me të cilin është ndërtuar, as nga gurët qofshin ata qemer a qoshellinj. Por e ka marrë nga vendi, ideatori a pronari (Kalaja e Kaninës, Kalaja e Gjon Boçarit).

E veçanta në polifoninë labe është kthesa. Atë nuk e gjen në polifoninë e trevave të tjera shqiptare, por edhe në polifonitë e popujve të tjerë. Polifoni është kënduar edhe me dy zëra (marrës-kthesë), edhe me tre zëra (marrës-kthesë-hedhës) pa iso. Ato nuk kanë iso, por polifoni janë. Termi “isopolifoni” këtë mënyrë polifonike të kënduari e lë jashtë polifonisë. Kënga labe ka disa mënyra të kënduari; ajo ka edhe monofoninë: vajet, ninullat, borohitjet, logatjet, mërmërimat këndohen në monofoni.

Kënga labe është dialektike dhe nuk lë shteg interpretimi tjetër kur dëshmon: “Do ja themi një zë,/ të na bëhen dy zë [zëra]”. Pra, polifonia labe ka lindur nga monofonia. Labërishtja e kapërcen kornizën e një gjinie arti, siç është kënga. Brenda saj gjen tregimin, fabulën, poezinë, portretin, tablonë, skenën. Gjen lajmin, analizën, opinionin, gjen personazhe, ngjarje, tipa e karaktere, bëma e tertipe të së kaluarës. Ato vijnë në ditët e sotme si të ngjashme, si “krok” e “çit koka” me personazhet e ditëve tona.

Parë në këtë sens të krijohet përshtypja (ndjesia) se ajo është kënduar dje për t’u dëgjuar sot e mot: “Moj kasolle, ku na mblodhe!” (Parlamenti i sotëm); “Me shëndet sharkun, o Zykë,/ sharku ok e mendja pykë!” (Gjithologët e kohës sonë- Zykët e ekraneve); “E mbolli arën Hajdini,/ Kur ta korrë e do e shini” (Premtimet e Hajdinëve të sotëm në mitingje e ekrane). Labërishtja në udhëtimin e saj mijëravjeçar nga brezi në brez e nga koha në kohë, qarkulloi të njëjtën gjuhë e të njëjtën kulturë në të njëjtin territor. Ajo bashkoi kohët dhe njerëzit në një marrëveshje e mirëkuptim, që në termin bashkëkohor quhet identitet kombëtar.

Ky është, ndoshta, një shërbim edhe më i madh, se sa luftërat, përpjekjet, sakrificat e jetëve njerëzore për liri, pavarësi e identitet kombëtar, të marra së bashku.

Për herë të parë, termin polifoni e ka përdorur patriarku i etnomuzikologjisë shqiptare, prof. Ramadan I. Sokoli në vitin 1959 (shih: Ramadan Sokoli, “Polifonia jonë popullore”, Bulet. i Univ. , viti XIII, nr. 3, f.117-128). Ky është termi standard i mbarëpranuar nga kërkuesit shkencorë dhe studiuesit e kësaj fushe të shkencës dhe nga bota akademike në tërësi.

Enrik Mehmeti (gazetari): – Ku këndohet me shumë zëra? Ku aplikohet kjo mënyrë të kënduari polifonik?

Albert Habazaj: – Nuk këndojmë vetëm ne me shumë zëra, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit. Polifona në Ballkan është një kulturë e lashtë popullore, që në rrjedhat e kohës e mijëvjeçarëve i rezistoi erozionit. Ashtu e kristalizuar në forma të thjeshta duke u plotësuar (hequr apo shtuar elementë apo detaje folkorikë), për t’u pëlqyer e përsorur në udhëtimin e pandalshëm polifonik, iu la trashëgim brezave për ta zhvilluar më tej dhe për ta përcjellë deri në ditët tona këtë thesar të çmuar.

Hapësira në të cilën gjallon polifonia popullore, si kulturë muzikore karaktersitike shtrihet ndër viset ku banojnë shqiptarë, grekë, aromunë, maqedonas, boshnjakë, serbë. Shqiptarët, grekët, aromunët njohin si tipike këngën me tre dhe katër zëra. Kurse bullgarët, maqedonasit, boshnjakët, serbët – këngën me dy zëra. Etnomuzikologët kanë vërejtur se polifonia popullore i tejkalon hapësirat ballkanike. Zona të diferencuara të të kënduarit me shumë zëra dhe stile regjionale polifonike ekzistojnë edhe në Itali, vendet Balltike, Gjeorgji, Kaukaz, Ukrainë, Poloni Jugore, Slloveni etj.

Gjithsesi njihen si ishuj polifonikë. Studimet arrijnë në përfundimin se Shqipëria, sidomos ajo Jugore, me shumëllojshmërinë e stileve dhe të formave vokale dhe instrumentale dy-tre-dhe katërzërëshe, paraqet një nga trevat më të gjera, të zhvilluar dhe tipike. Ndoshta nuk gabojmë, – shprehen ata po ta quajmë atë epiqendrën e polifonisë së Gadishullit. (Shih: “Kultura Popullore”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore, Nr.1, 1990, f.11).

10 Miro Tërbaçet e këngës labe

Polifonia shqiptare, siç është bërë e njohur, mbulon një territor të gjerë, që shtrihet që nga hapësirat verilindore përreth Strugës e krahut lindor të liqeneve të Ohrit, Prespës e rrethinave të Kosturit dhe krejt Jugut të Shqipërisë deri në thellësi të Çamërisë. Por atë në formën dyzërëshe e ndeshim edhe nëpër Dibër (Kalaja e Dodës). E ndeshim në Shqipërinë e Mesme (Kakunjë), Kosovë (Opojë, Kaçanik), te Diaspora dhe pothuajse në krejt krahun verilindor, përtej kufijve të sotëm shtetërorë. E ndeshim në shqiptarët që jetojnë në Maqedoni dhe pikërisht në ata të fushës së Pologut, duke filluar prej rrethinave të Tetovës, Gostivarit e deri në rrethinat e Kërçovës në jug, më tej deri në rrethinat e Shkupit-Zona e Dervenit.

Etnomuzikologët tanë dhe të huaj, duke bërë një vështrim të përgjithshëm krahasues, përcaktojnë dhe dialektet kryesore të polifoninë popullore shqiptare. Sipas tyre, janë një radhë faktorësh të brendshëm që e ndajnë këtë polifoni në dy grupe kryesore. Grupi i parë është polifonia labe. Grupi i dytë është polifonia myzeqare, toske e çame së toku. Ne do të trajtojmë ngushtësisht grupin e parë, biles, për efekt hapësire të gazetës suaj, duke e ngushtuar deri në polifoninë e krahinës së Vlorës. Këngë labe këndohet nëpër fshatra në përgjithësi, por edhe në qytet.

Pra, përveç folkorit fshatar njihet edhe ai qytetar, ku shquan Gjirokastra, se ka qenë me kohë e njohur për këngët e shtruara aq të bukura të Xhevat Avdallit e më vonë të Arjan Shehut me grupin e famshëm të të Rinjve të Gjirokastrës. Gjirokastra njihet si kryeqendra e folkorit muzikor lab qytetar. Krahina e Vlorës është kryeqendër e folkorit muzikor lab fshatar homofonik e polifonik. Është e vetmja ku kemi mjeshtra të bërjes të intrumentit të culës prej guri.

Me gjasë, monofonia është më e lashta në nëndarjet e muzikës popullore labe; ajo mund të ketë lindur me labin e parë këtyre hënave, tek ecte udhëve të jetës, në punë, nëpër halle, derte e gëzime, në fushë a majë malit, buzë detit a buzë lumit.

Zhanret zanore që këndohen në mënyrë homofonike (me një zë), që aplikohen edhe sot janë 1. Ninulla (ose këngët e lindjes e të djepit) – nga gratë nëna e gjyshe; 2. Boroitja ose logatja (në përgjithësi nga burrat, barinjtë sidomos në mal e në vërri, por ka edhe raste nga vajza apo gra çobanesha (baresha); 3. Vajtimi (me vaje dhe këngë të përvajshme) – nga gratë në përgjithësi, por edhe nga burrat me tekste të improvizuara aty për aty. Mund të përmendim bartësin dhe krijuesin e mirënjohur popullor Tomor Lelo me vajtimin rrënqethës burrërisht në vdekjen e këngëtarit të njohur të grupit të Pilurit, Qirjako Bala.

Në Labëri, popullaritet ka kënga polifonike në grup. Ajo ka arritur majat më të larta të interpretimit mjeshtëror të teksteve aq të bukura artistikisht të krijuara nga poetë popullorë të arsimuar. Më cilësorët prej tyre janë me arsim të lartë. Tri ndarjet e veçanta të tërësisë së polifonisë labe janë gjinitë: 1. epike, 2. lirike dhe 3. epiko-lirike apo liriko-epike.

Gjinia e këngëve epike, në Labëri e përfaqësuar nga epika historike, ku, spikasin këngët e periudhës së shtetit të pavarur shqiptar e me jetë më aktive folkorike në ciklin e këngëve që i kushtohet epopesë së madhe të Luftës së Vlorës më 1920, janë pensionuar dhe pothuaj ia kanë lënë stafetën e qarkullimit folkorik dy gjinive të tjera lirike. Ato qenkan të përjetshme dhe universale, të bukura si nuse bregdeti. Të gjithë po dëgjojmë e shikojmë që në modë janë këngët lirike, të cilat na vijnë herë si tufa me lule polifonike liriko-epike e herë si buqeta  epiko-lirike.

Pjesa e dytë e intervistës vazhdon ditën e nesërme, në orën 20:00…

 

Për Lajm Shqip
Enrik Mehmeti

11.01.2018

Albert Habazaj enrik mehmeti Interviste polifonia polifonia labe 4 vite më parë
admin
Etiketime Albert Habazaj enrik mehmeti Interviste polifonia polifonia labe
Twitter Facebook Google + Stumble linkedin Pinterest Më shumë
Të mëparshme

Çfarë na ndodh nëse heqim dorë nga konsumimi i mishit

Pasardhëse

Venera i shpreh dashurinë Lindit publikisht, gjatë udhëtimit për…

Të Ngjashme

Perandori Adriano vazhdon të shënojë “gola” në Instagram

Perandori Adriano vazhdon të shënojë “gola” në Instagram

Administrator 5 vite më parë
Skafistët shqiptarë sfidojnë policinë italiane, ja sasia e drogës së sekuestruar …

Skafistët shqiptarë sfidojnë policinë italiane, ja sasia e drogës së sekuestruar …

admin 4 vite më parë
Nga lavazhier, përfundon miliarder, 40 vjeçari arriti…

Nga lavazhier, përfundon miliarder, 40 vjeçari arriti…

admin 4 vite më parë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Horoskopi

  • HOROSKOPI MUJOR, GUSHT 2020

    HOROSKOPI MUJOR, GUSHT 2020

Moti

  • PARASHIKIMI I MOTIT/ JA SI NIS JAVA

    PARASHIKIMI I MOTIT/ JA SI NIS JAVA

Politikë

  • Veliaj kërkon të ndryshojë datën e ditës së verës, ish-ministri i jep përgjigjie “fytyrës”

    Veliaj kërkon të ndryshojë datën e ditës së verës, ish-ministri i jep përgjigjie “fytyrës”

  • Studiuesi Muka: “Pakti për Universitetin” thjesht një pemtim elektoral

    Studiuesi Muka: “Pakti për Universitetin” thjesht një pemtim elektoral

  • Filo kundër Ramës, të anulohet ndërtimi i TEC-it në Korçë

    Filo kundër Ramës, të anulohet ndërtimi i TEC-it në Korçë

  • Berisha: Ndërtimi i termocentralit në Korçë armik i qytetarëve dhe i mjedisit

    Berisha: Ndërtimi i termocentralit në Korçë armik i qytetarëve dhe i mjedisit

  • Policia shqiptare dhe ajo e Malit të Zi kapin 84 kg marijuanë

    Policia shqiptare dhe ajo e Malit të Zi kapin 84 kg marijuanë

Lifestyle

  • HOROSKOPI MUJOR, GUSHT 2020

    HOROSKOPI MUJOR, GUSHT 2020

  • 5 ARSYE PËRSE GRATË DUHET TË MASTURBOHEN RREGULLISHT

    5 ARSYE PËRSE GRATË DUHET TË MASTURBOHEN RREGULLISHT

  • Parashikimi i motit sot, e hënë 11 mars 2019

    Parashikimi i motit sot, e hënë 11 mars 2019

  • Ja ku ndodhen ligjet më “qesharake” nëpër botë

    Ja ku ndodhen ligjet më “qesharake” nëpër botë

  • Plakja e popullsisë, kërcënohet edhe Shqipëria

    Plakja e popullsisë, kërcënohet edhe Shqipëria

Teknologji

  • Teknologjia gjermane, gati ndërtimi i anijës autonome

    Teknologjia gjermane, gati ndërtimi i anijës autonome

  • Samsung sjell frigoriferin “smart”

    Samsung sjell frigoriferin “smart”

  • Ja sa kushtoi Bugatti, thyen rekordin për çmimin më të lartë

    Ja sa kushtoi Bugatti, thyen rekordin për çmimin më të lartë

  • Teknologjia dhe miopia, dëmet tek fëmijët

    Teknologjia dhe miopia, dëmet tek fëmijët

  • Teknologjia e re, tashmë do të fluturojë edhe makina

    Teknologjia e re, tashmë do të fluturojë edhe makina

lajm-shqip.com

lajm shqip, në çdo moment pranë jush me lajmin më të fundit.
www.lajm-shqip.com

©Lajm Shqip
Lajm-Shqip.com Lajm-Shqip.com lajm-shqip.com Lajm-Shqip.com