Neritan Cekën e kam njohur si “as” i vërtetë në profesionin e vet, personalitet poliedrik dhe politikan të mirëfilltë atdhetar.
Në mesvitet `60 të shekullit të kaluar, Neritani bëri një zbulim të pazakontë.
Fjala është për varret monumentale në qytetin ilir të Selcës së Poshtme, në rrethin e Pogradecit, të ndërtuara poshtë akropolit qysh nga gjysma e dytë e shekullit IV para Krishtit. Drejtori i atëhershëm i Muzeut të Rrethit të Pogradecit më erdhi në zyrë sëbashku me një ish-kolonel të Sigurimit të Shtetit, – isha zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, – me dy trillime kundër Neritanit: “Ka bërë gërmime arkeologjike pa lejë dhe ka grabitur krejt thesarin e monedhave të arta të varreve”. Meqënëse i prita me këmbët e para, trokitën edhe në dyer të tjera, por pa dobi.
Takim me Neritanin
Në një nga takimet e mia me Neritanin (më 31 tetor 2001, në Tiranë), më dhuroi veprën e vet „Ilirët” (Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 2000), me dedikimin: “Mikut tim, Kopi Kyçykut, në shenjë mirëkuptimi për kohën e djeshme dhe të sotme”. E kemi lënë të bëjmë një dialog të gjatë, por pa përcaktuar kohën. Do të flasim për shkencën, për politikën e për gjithçka dhe do ta botojmë diku.
Dua të theksoj se, rreth një dekadë më parë, e ndjera Nermin Falaski-Vlora (e cila, bashkë me të shoqin, Rencon, dhe të birin, Roberton, më patën pritur me përzemërsi në Romë, në vilën e tyre, në Via Gramsci, më ftoi në përurimin e Akademisë Kulturore Ilire, “ku kam ftuar edhe profesor Neritan Cekën”, tha, pa zënë në gojë asnjë emër tjetër. Nuk shkova dot megjithse e fismja Nermin m’u zotua të ma nxirrte vizën shpejt, sidhe të përballonte të gjitha shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit tim në Itali.
Në korrik 2007 e urova Neritanin me rastin e pjesëmarrjes së tij dinjitoze në raundin e tretë të zgjedhjeve presidenciale. Në përgjigjen që ma dërgoi menjëherë, pasi më falenderonte për urimin, shprehej me dashamirësi: “I dashur Kopi, …Të përshëndes për mbajtjen me dinjitet e kompetencë të flamurit të rilindasve në Bukuresht. Vëllazërisht, Neritan Ceka”.
Për Lajm-Shqip
Kopi Kyçyku