Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur sot një minutë heshtje në kujtim të ish-deputetit socialist Fatmir Xhindi i cili u vra katër vjet më parë.
Kërkesa u bë nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili theksoi se asgjë nuk është bërë për gjetjen e autorit të vrasjes së deputetit.
kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjithashtu i ka bërë apel drejtësisë të zbardhë sa më shpejt vrasjen e ish-deputetit Xhindi.
“Ai ishte një koleg ynë dhe ne bashkohemi plotësisht me ju, i bëjmë apel drejtësisë të veprojë sa më shpejt për zbardhjen e ngjarjes” theksoi Topalli.
Kuvendi diskuton për kompensimin e pronave, Kodheli: Me arnime nuk e bëni dot atë që s‘bëtë në 20 vjet
Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë ka pasur në rend të ditës shqyrtimin e disa ndryshimeve në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”; të disa shtesave në ligjin “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”; ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Artigiancassa S.P.A., për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”.
Relatorja e p/ligjit për “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave” deputetja Adriana Gjonaj u shpreh se fondi për kompensimin financiar të pronave parashikon që përqindja e të ardhurave që vijnë nga shitja e pasurive shtetërore të jetë jo më e fiksuar në 65 për qind të të ardhurave, por nga 20 deri në 65 për qind, në varësi kjo të shlyerjes që bëhet në lekë.
Ndërkohë në fjalën e saj, deputetja e PS-së Mimi Kodheli theksoi se opozita është e gatshme ta votojë projektligjin por është e bindur se ai do të jetë një tjetër letër pa vlerë dhe një arnim që i bëhet ligjit nga qeveria në fund të mandatit, për atë që nuk është bërë në 20 vjet.
“Kjo qeveri ka bërë çdo gjë me pronat e qytetarëve, por asnjëherë se ka çuar tek i zoti. Pronarë, harrojeni që në javën e fundit të pushtetit do zgjidhin atë që se kanë bërë për 20 vjet. Me arnime kjo situatë vetëm përkeqësohet, nuk zgjidh asgjë”, tha Kodheli.
02.05.2013
Burimi: Gazeta Shqip