Kush e vendos fatin e zgjedhjeve vendore 2019?
Na ndajnë vetëm pak muaj nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Me një situatë politike çdo ditë e më shumë të tensionuar, jehona e zgjedhjeve ka lënë një hije dyzimi.
A do të ketë apo jo zgjedhje lokale?
Edhe pse duket se projekti ka filluar të skicohet kohë më parë, ditët kalojnë të shoqëruara nga një ngërç politik.
Ambiciet për të fituar duket se i kanë të qarta nga të gjitha palët.
Por ata që mbeten më të paqartë janë qytetarët.
Andaj KQZ, institucioni që merret me mbarëvajtjen e zgjedhjeve , ka nxjerrë udhëzimet e para dhe mbi të gjitha ka miratuar një plan veprimi, i përcaktuar me afate zbatimi.
Por çfarë dijnë votuesit mbi listat e zgjedhësve ?!
Nga të dhënat paraprake të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, rezulton se të drejtën e votës e kanë 3.549.909 qytetarë.
Ndër ta, 50.5% e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49.4 % femra.
Nga lista janë hequr emrat e 1.264 personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të “Dekriminalizimit”, si dhe janë hequr 1.309 emra të personave mbi 100 vjeç.
Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u ka kërkuar të gjitha Zyrave të Gjendjes Civile të gjenerojnë ekstraktin elektronik të përbërësve zgjedhorë, në përbërje të të cilit janë të gjithë shtetasit me të drejtë vote, të cilët mbushin moshën 18 vjeç deri më datën 30 Qershor 2019.
Ministria e Brendshme deklaroi më herët se ka objektiv sigurimin e një liste sa më të plotë zgjedhore, që do të garantojë të drejtën e votës për çdo shtetas me të drejtë vote, duke shmangur në maksimum problemet e verifikuara në të kaluarën.
Erjona Keta
20.02.2019