Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një dalje për mediat ka deklaruar se viti 2019 do të jetë një vit historik në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit.
Edhe pse ka qenë një nga iniciuesit e vendosjes së taksës 100% ndaj mallrave serbë, Hoxhaj thotë se taksa nuk duhet të jetë pengesë për vazhdimin e dialogut.
“Taksa është vendosur për arsye të politikës së jashtme, në një kohë kur Serbia agresonte mbi Kosovën, duke tërhequr njohjet e saja dhe duke bllokuar anëtarësimet e reja.
Dëmi ekonomike që i kemi shkaktuar Serbisë ka qenë rreth 100 mln euro. Por tani kemi një situatë të re kur dialogu duhet të vazhdojë dhe taksa nuk duhet të jetë pengesë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.”, ka shtuar ndër të tjera ai.
Kosova dhe Serbia akoma nuk po gjejnë ende një marrëveshje të mirëfilltë midis njëra tjetrës.
Taksa ndaj produkteve serbe e vendosur nga qeveria e Kosovës, e ka ndërlikuar akoma edhe më shumë situatën.
Një tjetër pengesë është bërë edhe ideja për ndryshimin e territoreve midis dy vendeve, e propozuar nga Presidenti Hashim Thaçi, por që kundërshtohet fort nga kreu i qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj.
Elona Tereziu
21.02.2019