Nuk e kuptoj se, pse na duhen prokuroria dhe gjykata. Pse i shpenzojmë taksat. Kjo, për të paguar mbi 1000 gjyqtarë dhe prokurorë?! Ç’na duhen këta për hetime. Për gjykime dhe dënime. Përvoja e përnatshme, po na tregon tjetër gjë. Këtë e kanë marrë përsipër, ta bëjnë emisionet televizive! Nuk po kursehet asnjë dokument hetimor. Madje dhe përgjim zyrtar, pa u ekspozuar në media. Ç’janë këto institucione hetimi e drejtësie? U dalin pazarit të gjitha të larat dhe të palarat e dosjeve. Aq më keq, para se ato të hapen në seancën gjyqësore.
Kur emisionet televizive zëvendësojnë prokurorinë dhe gjykatën!!!
Si ka mundësi që asnjë drejtues i këtyre institucioneve nuk reagon? Madje, ka shumë e shumë vite. Si nuk shqetësohen për këtë situatë? Si ka mundësi, që nuk kemi asnjë drejtues nga këto institucione, të ketë dhënë dorëheqje? Dhe kjo, në shenjë proteste. Për faktin që dosjet në proçes hetimi, përfundojnë në studiot televizive. Pas kësaj, ç’vlerë, kanë hetimet dhe përgatitjet e seancave gjyqësore?! Asnjë vlerë! Le të hetohen, të gjykohen, të dënohen në studiot televizive nga analistët ! Kështu nuk kemi, pse t’i mbajmë prokurorët e gjyqtarët. Dhe t’i paguajmë me taksat tona! Apo thjeshtë, sa për dekor! Nga ana tjetër ankohemi. Se shteti nuk po forcohet! Dihet se me frymën e shenjtë nuk forcohet!
Shënim: – Titulli është i redaksisë.
Musa Kurtulaj
13.10.2018