Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) ka reaguar ashpër kundër tentativës së Ministrisë së Kulturës për të përzgjedhur debatuesit në emisionet televizive për projekt ligjin për Artin dhe Kulturën, si dhe për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar në godinën “Turbina”.
Reagimi i SASE ka ardhur pasi Ministrja e Kulturës ka refuzuar të përballej me përfaqësuesin e përzgjedhur nga kjo sindikatë.
Madje ka kërkuar që ai të zëvendësohej me një tjetër emër.
Në kushte të tilla, SASE ka bërë të ditur se do të bojkotojë këtë emision, ndërsa ka ftuar ministren Mirela Kumbaro për një debat të hapur në sallën e Teatrit Kombëtar javën e ardhshme në lidhje me pr/ligjin e propozuar nga ky institucion.
Kumbaro përzgjedh edhe debatuesit në studio. Ja si reagojnë artistët…
“Znj. Ministre e Kulturës nuk dëshiron debatin me artistët, por manipulimin e opinionit publik me debate false.
Znj. Ministre e Kulturës duhet të kuptojë se ka perënduar koha kur vendoste Partia e Punës se kush duhej të fliste e çfarë të thoshte “në emër të masave”.
SASE nuk është departament i Ministrisë së Kulturës dhe nuk është krijuar për të qenë “rrip transmisioni i Partisë”, por avokat i artistëve në çdo konflikt që ata kanë me shtetin.
SASE i qëndron kërkesës së saj, të nënshkruar nga mbi 80 artistë dhe të mbështetur nga mijëra qytetarë, që po nënshkruajnë peticionin në Internet, për debat të hapur, në sallën e Teatrit Kombëtar, javën e ardhshme.
Ne mirëpresim znj. Ministre në debat dhe e sigurojmë se nuk do të vemë asnjë kusht për panelin apo stafin që do ta shoqërojë atë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit.
11.02.2018