Kryetari i Qarkut të Fierit : – “Po llogarisim dëmet, që na shkaktuan përmbytjet e dhjetorit!”
Kretari i Qarkut, Fier, Vangjel Ndreka, ka folur sot rreth masave që po merren për dëmet nga përmbytjet.
Ai është shprehur ekskluzivisht në një intervistë për “Lajm -Shqip.”
A mund të flitet për bilanc dëmesh pas 7 ditësh?
Nuk mundë flasim me shifra konkrete. Arsyeja është e thjeshtë. Jemi në valën e punës në terren. Po evidentohet gjithçka e dëmtuar. Në çdo shtëpi po shkohet nga grupet e verifikimit.
Sa grupe pune janë ngritur prej institucionit të Qarkut?
Kemi nxjerrë në terren dy grupe verifikimi. Në çdo grup prej tre vetash ka ekonomist, inxhinjer, agronom.
Nuk duken pak dy grupe, për të evidentuar dëmet e një teritori shumë të gjerë, siç është qarku Fier ?
Pyetja është me shumë vend. Grupet e Qarkut do të prekin 34 Njësi Vendore, që ka qarku në Fier-Lushjne-Mallakastër. Në këto Njësi ka nëngrupe të ngritura nga Njësistë Vendore. Puna e grupeve në çdo Njësi lehtëson punën e institucionit të Qarkut. Grupet tona po marrin në çdo bazë të Njësive Vendore çdo evidencë dëmesh të shkaktuara. Paralelisht edhe grupet e Qarkut, me të drejtën, që e jep ligji, bëjnë dhe vetë verifikime operative atje ku ka probleme në evidentimin e saktë të dëmit.
Nga këto kontrolle dhe evidenca mund të na thoni ku janë dëmet më të mëdha?
Fatmirësisht nuk ka asnjë rast humbje në jetë njerëzore dhe në gjënë e gjallë të banorëve, si dhentë, lopë, etj. Kjo ka shumë rëndësi, që nuk kemi humbje njerëzore. Kemi përmbytje të mëdha në toka bujqësore, në sera, sidomos në zonat Pishë, Ferras, Frakull, Povelcë, Darëzezë etj.
A do dëmshpërblehen të dëmtuarit dhe cila do jetë procedura? Shumë qytetarë kanë ankesa për zvarritje në kohë, madje nuk janë të paktë banorët, që na thone se nuk kanë marrë ende shpërblimet e përmbytjes së dy viteve më pare?
Për ankesat, që mund të jenë qytetarë të ndryshëm, nuk mund të kem ndonjë përgjigje. Mund të jetë dhe ashtu. Mund të ketë raste. Është një periudhë, që unë nuk kam qënë në këtë detyrë dhe nuk kam informacione për përmbytjen e fundit. Pas pak ditësh, i gjithë materiali ynë, evidencat e detajuara.do dorëzihen në prefekturë. Prej andej fillon dhe etapa e dëmshpërblimeve për çdo familjar të dëmtuar. Do të jenë fonde të Qeverisë. Më saktë, të emergjencave civile, të cilat bazuar në evidencat tona, do bëjnë dëmshpërblimet, sipas rastit.
Faleminderit që pranuat të flisni për “Lajm-Shqip”!
Ishte kenaqësi. Faleminderit juve! Faleminderit të gjithe përfaqësuesëve të medias. Sidomos të medias tuaj, që keni qenë “non stop” në pasqyrimin e situatës duke u bërë ndihmese edhe për ne, edhe për banorët. Shpesh, ne prej raporimeve tuaja, mësonim ku kishim situatën më ” të nxehtë”.
Për Lajm-Shqip
Vladimir Muçaj