Kryeprokurori i përkohshëm, beteja e humbur e opozitës
Nga Mentor Kikia
Kryeprokurori i përkohshëm, beteja e humbur e opozitës
Partia Demokratike është shtrënguar sot të replikojë sërish me ambasadorin amerikan Donald Lu.
Dhe është çështja e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm që ka shkaktuar replikat në distancë.
Pas një konfrontimi publik mes ambasadorit dhe kryeprokurorit Llalla, këtë pranverë, selia diplomatike amerikane duket se ka pritur fundin e mandatit të tij për tiu kundërvënë çdo përpjekjeje për t’i zgjatur mandatin.
Apo për ta lënë Llallën në detyrë derisa të krijohet KLP, për ta zgjedhur kryeprokurorin sipas ligjeve të reja të drejtësisë.
Ndaj ambasadori Lu, për të dytën herë brenda një jave, deklaroi se:
“Prokurorit ekzistues i ka mbaruar mandati dhe se i riu duhet të zgjidhet siç e parashikon Kushtetuta(dispozitat kalimtare)”.
Ambasadori Lu
Por sot ai shkoi edhe më tej duke, anatemuar drejtëpërdrejtë ish-Prokurorin Llalla.
“Sistemi i vjetër ka mbrojtur korrupsionin përmes ndikimit politik.
Sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht.
Ky vend nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Evropë”.
Lu iu kundërvu politikanëve të opozitës që mendojnë se reforma në drejtësi ka vdekur, para se të fillojë të zbatohet.
“Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur”- deklaroi ambasadori.
Lulzim Basha
Por Lulzim Basha nuk voni ti përgjigjet ambasadorit duke thënë:
“Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar.
Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet vettingut.
Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri”.
Përplasja tashmë është e qartë
Ambasada amerikane mbështet variantin e zgjedhjes së prokurorit pa u krijuar KLP dhe për këtë kërkon edhe bashkëpunimin e PD-së.
Ndërsa PD kërkon që të formohet më parë KLP e pastaj të zgjidhet prokurori.
Rrugët e të dyja palëve nuk priten asgjëkundi.
PS i ka votat dhe pritet ta zgjedhjë prokurorin.
Ndërsa PD do të shtojë dozën e akuzave për kapjen e drejtësisë së re nga Edi Rama
Zgjedhja e kryeprokurorit
Historia këtu nuk lidhet thjeshtë me parimet, apo respektimin e Kushtetutës.
PD ka bindjen se një prokuror i propozuar nga Rama do të mbylle dosjen e Tahirit dhe do të hapë hetime për ish zyrtarë të qeverisë Berisha.
Bashkëpunimi në zgjedhjen e kryeprokurorit do e zhvishte nga e drejta për të protestuar më pas.
Apo t’i cilësonte hetimet si politike dhe prokurorin si një ushtar të Edi Ramës.
Me apo pa PD-në kryeprokurori do të zgjidhet, por Basha kërkon të lërë hapur shtegun për të kontestuar veprimet e tij nesër.
Për këtë arsye ajo po ndjek një kurs që po me çon drejt një përplasjeje të re me Ambasadën Amerikane.
Por çfarë thotë Kushtetuta?
Basha mund të ketë të drejtë në dyshimet e tij lidhur me personin që do të pasojë Llallën, por ai ka një kundërshtar të fortë për ta ndaluar:
Kushtetutën, e cila është shumë e qartë në atë që parashikon se si zgjidhet kryeprokurori, në kushtet kur KLP nuk është krijuar ende.
Institucionet janë aktualisht në një rreth vicioz, ku dikush ka vdekur, por ai që duhet ta varrosë nuk ka lindur ende.
Por Basha sërish nuk e pengon dot, pasi Kushtetuën, ashtu siç është, e kanë votuar të gjithë me konsensus.
Ndaj ai ka vendosur që së paku të mos e japë konsensusin për kryeprokurorin e përkohshëm.
Ndaj ka vendosur të përplaset sërish me ambsadën e SHBA, katalizatorin më të rëndësishëm të hartimit e miratimit të reformës në drejtësi.
Për Lajm Shqip
Mentor KIKIA