TIRANË- “Parametra stabël, por ende në rrezik për jetën për shkak të situatës postoperatore”. Kështu ka thënë mjeku reanimator Bardh Kurti, mjek i Spitalit Ushtarak të Tiranës, duke dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore të kryepolicit e Matit, Musa Skura, qëlluar me armë zjarri gjatë një operacioni për bllokimin e shitjes së armëve.
Sipas mjekut, pacienti mbahet i lidhur me aparaturë dhe ende nuk mund të thuhet se ka dalë nga rreziku për jetën.
“Pacienti kishte shumë dëmtime, veshka e djathtë që iu hoq, carje stomaku që iu qep, shpretkën që iu hoq, zorrët e hollët e trasha që iu qepën dhe pankreasin që iu qep. Pacienti ka marrë 9 qese gjak, operacioni zgjati nga ora 9-4 të mëngjesit dhe tashmë është në terapi intensive”- tha mjeku.
Sipas tij, pacienti ka parametra stabël, por situata ngelet shumë e rëndë.
“Parametrat janë në kufijtë e normës, mbahet në respiracion dhe do të shihet për ta shkëputur nga aparati. Ka rrezik për jetën, është i stabilizuar por jo jashtë rrezikut për jetën”- ka thënë mjeku.
14.01.2013
Burimi: Gazeta Panorama