Kryebashkiaku, Sejdini përuron rrugën e dhjetë fshatrave. Nuk kanë patur kurrë rrugë e nuk flitej për asfalt. Kështu mund të thuhet për mbi dhjetë fshatra të Treganit, Gjinarit e më gjërë. Ëndërra e tyre është bërë realitet, është rruga Kodër-Bujaras-Gostimë në Elbasan.
Kryebashkiaku, Sejdini përuron rrugën e dhjetë fshatrave…
Investimi u bë i mundur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të Rajoneve. Kryebashkiaku Sejdini, Kreu i Grupit Parlamentar Balla dhe deputëtë, inspektuan përfundimin e punimeve.
– “Kjo është një nga rrugët më të bukura dhe më me interes për Njësinë Administrative të Treganit dhe të Gostimës. Është fillimi i një investimi tjetër tepër të fuqishëm, që do të lidhë përfundimisht Gostimën me Llixhën. Përfshihet edhe projekti studimor për Llixhën. Kjo rrugë ka dy përfitime.
E para janë banorët e zonës, të cilët e kërkonin prej vitesh.
E dyta, duke qenë zonë shëndetësore, mjekësore dhe turistike është edhe një nyjë lidhëse me pjesën tjetër të Shqipërisë. Kjo, duke kaluar nga Gostima, jo vetëm në Gramsh, por edhe në Berat.”- ka pohuar kryetari i Bashkisë.
Ndërsa Balla, deklaroi:- “Kjo rrugë lidh një zonë shumë të rëndësishme përsa i përket agroturizmit. Zona e Llixhës është një atraksion shëndetësor dhe turistik për gjithë Shqipërinë dhe trevat mbarëshqiptare. Janë me qindra e me mijëra shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia që shfrytëzojnë llixhat. Dhe gjithë kjo zonë furnizon me prodhime agroushqimore destinacionin turistik të llixhave.
Të gjitha këto njësi, Shushica, Shirgjani, Gjergjani, Tregani, janë pikërisht zona ku ne jemi të fokusuar. Kjo, për të ndryshuar infrastrukturën pasi janë zona punëtore. Kanë lidhur jetën e tyre me bujqësinë dhe për këtë ne duam t’i japim rëndësi agroturizmit.” Përfundimi i kësaj rruge shkurton distancën me qytete të tjera të Shqipërisë si Kuçova dhe Berati.
Për Lajm-shqip
Alfrida Danushi