TIRANE – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet të enjten në orën 18:00 për miratimin e listave shumë emërore të partive politike të regjistruara në KQZ, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së, në rend të ditës do të jetë vetëm shqyrtimi dhe miratimi i listave të kandidatëve.
Partitë politike përmbyllën listat ditën e hënë dhe i depozituan ato në KQZ, brenda afatit ligjor, që ishte ora 00:00 e datës 06 maj. Vlen të përmendet se në listat e PD-së dhe PS-së pati surpriza të shumta, përjashtime dhe përfshirje të emrave të rinj.
Kryetari i PS, Edi Rama, nuk përfshiu në listën e qarkut të Vlorës dhe në asnjë qark tjetër Arben Malajn, ish-ministrin e suksesshëm të Financave gjatë qeverisjes 8-vjeçare të socialistëve. Malaj është zëvendësuar në këtë qark nga miku i vjetër i Ramës, botuesi Koço Kokëdhima, i cili do të jetë i treti në qarkun e Vlorës, pas Ramës i cili kandidon në këtë qark dhe Leskajt.
Në listën kombëtare të PS-së nuk figuron emri i kryetares së FRESSH-it, Elisa Spiropalit, moskandidimi i së cilës ishte paralajmëruar me protesta nga një grup i madh të rinjsh të këtij forumi. Në qarqet e tjera nuk ka pasur surpriza. Pandeli Majko kryeson qarkun e Tiranës, i ndjekur nga Sajmir Tahiri dhe Vasilika Hysi, Fidel Ylli kryeson qarkun e Beratit, Ben Blushi qarkun e Elbasanit, Mimoza Hafizi qarkun e Shkodrës, Blendi Klosi qarkun e Durrësit, ndërsa Namik Dokle është i katërti në këtë qark. Listat kanë lënë jashtë radhëve deputetët si Et’hem Ruka, Marko Bello, Gazmir Bizhga, Albert Caci etj.
Lista e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit ka jo pak, por 31 emra të rinj, të cilët janë të sigurt në 12 qarqet e vendit. Diçka më pak se 50 për qind e listës së demokratëve është rinovuar në krahasim me atë të katër viteve më parë. Qarku që është prekur më shumë është ai i Tiranës, ku nga 15 deputetë që PD-ja fitoi në zgjedhjet e 2009-s, sot gjashtë nuk janë, ose janë në vende ku nuk fitojnë, ndërkohë që i vetmi me shpresë është Tritan Shehu, që renditet i 16-ti.
Në listën e atyre që largohen janë: Ilir Rusmali, Viktor Gumi, Lajla Përnaska e Luan Skuqi. Në të njëjtën kohë ndryshime të mëdha kanë ndodhur edhe në Shkodër, ku tre deputetë, Trashani, Bushati dhe Cobaj, janë larguar, ndërsa Gjokë Uldedaj është i teti në një zonë ku PD-ja në vitin 2009 mori shtatë mandate. Një tjetër qark ku ka pasur ndryshime të mëdha është ai i Lezhës, në të cilin nga katër deputetë vetëm një, Edi Paloka, do të jetë në Parlamentin e ardhshëm.
Ndryshimet e mëdha në listën e Partisë Demokratike kanë shkrirë “de facto” Komisionin e Ligjeve. Nga 14 deputetë që kishte PD-ja në këtë Komision, 11 prej tyre nuk janë më në listë, ndërsa tre të tjerë, Dashnor Sula, Edi Paloka dhe Gent Strazimiri, do të jenë edhe në legjislaturën e ardhshme. Largimit të këtyre deputetëve i shtohet nga radhët e PS-së edhe Shega Ligori, ndërkohë që me dyshim është Dashamir Peza.
Këto ndryshime në radhët e demokratëve kanë prekur edhe kryesimin e komisioneve parlamentare. Konkretisht, nga pesë komisione që drejton PD-ja, katër prej tyre nuk do ta kenë më në listë kryetarin. Përveç Rusmalit, as Fatos Beja i Komisionit të Jashtëm, Leonard Demi i Komisionit të Sigurisë dhe Jemin Gjana i Veprimtarisë Prodhuese, nuk janë më, ndërsa i vetmi në listë është Edmond Spaho i Komisionit të Ekonomisë.
08.05.2013
Burimi: Balkanweb