Greqia ka kërkuar të mos përmendet emri “Çamëri” në tekstet shkollore shqiptare. Kështu ka bërë të ditur ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një letër përgjigje drejtuar deputetit Haris Theoharis.
Ministri grek Kotzias, tha se, as në tekstet shkollore shqiptare nuk duhet të ekzistojë termi “Çamëri”.
Duke iu referuar takimit të fundit të komisionit dypalësh për rishikimin e teksteve shkollore, ministri i Jashtëm grek shkruan:
“Pala greke insistoi në heqjen e kapitullit “Treva shqiptare në Greqi”, që është i papranueshëm dhe ofendues. Ka kërkuar gjithashtu heqjen e referimeve dhe hartave ku zona gjeografike greke paraqiten si “Çamëri” dhe të cilat për fat të keq dëshmojnë se shteti shqiptar mbetet i mbërthyer në koncepte anakronike nacionaliste, të cilat në radhë të parë i bëjnë dëm vetë Shqipërisë”.
Ministri i jashtëm grek shton se i njëjti problem është edhe me Maqedoninë.
“Përmbajtja e teksteve shkollore të FYROM është në shumë vende, problematik dhe kjo ka të bëjë edhe me vetë vendin, për rolin dhe veprimtarinë e elementit shqiptar në rajon gjatë luftës së dytë botërore. Vendi ynë i ka propozuar FYROM krijimin e një komisioni të përbashkët, propozim që është pranuar”, nënvizon Kotzias.
Ministri i Jashtëm grek iu përgjigj me këtë letër kërkesës për interpelancë që kishte paraqitur deputeti i pavarur Haris Theoharis.
Në argumentimin e kërkesës, parlamentari grek nënvizonte që “me gjithë marrëveshjet ndërshtetërore, tekstet shkollore shqiptare e paraqesin Çamërinë të shtrihet gjeografikisht nga Teba deri në Prevezë. Ndërkaq, ministria greke e arsimit i ka bërë ndryshimet në tekstet shkollore greke. Megjithëse kanë kaluar tre muaj, pala shqiptare nuk ka dërguar –ashtu siç ishte angazhuar- tekstet e reja me ndryshimet e nevojshme”.
www.lajm-shqip.com