TIRANE – Kriza që po kalojnë bizneset po reflektohet edhe me mospagim të taksave dhe tatimeve prej tyre. Borxhi tatimor arriti në fund të vitit 2011, vlerën e 64.5 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej rreth 6.1 miliardë lekë kundrejt një viti me parë. Shifrat e bëra publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se detyrimet e bizneseve nuk janë ulur, edhe pse gjatë vitit që lamë pas u zbatua amnistia fiskale, e cila iu ofronte bizneseve mundësinë që duke shlyer principalin e borxhit, të përfitonin nga falja e gjobave dhe kamat-vonesave.
Sipas KLSH-së, impakti në uljen e detyrimeve nga ligji i faljeve ka qenë vetëm 10.6 miliardë lekë. Ndërkohë borxhi që aktualisht bizneset i kanë administratës tatimore llogaritet në rreth 4.9 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, ose pothuajse sa totali i investimeve, kapitaleve që qeveria ka realizuar gjatë gjithë vitit të kaluar.
Kundrejt Produktit të Përgjithshëm Kombëtar, vlera e këtyre detyrimeve ka ardhur duke u rritur vitet e fundit, duke treguar problemet serioze që po kalon biznesi. Nga të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se debitorë janë 79 176 subjekte dhe gjatë vitit të kaluar numri i tyre u rrit me 589 biznese.
Nga përllogaritjet del se mesatarja e detyrimeve është 809 mije lekë për subjekt. Një tjetër fakt që evidentohet nga raporti i KLSH-së është se peshën më të madhe e zënë debitorët për tatimin mbi fitimin në shumën 21.6 miliardë lekë, ose sa 34 për qind e totalit të detyrimeve, pasuar nga debitorët e TVSH-së me 18 miliardë lekë dhe debitorët e kontributeve të sigurimeve shoqërore me 8.3 miliardë lekë.
19.10.2012
Burimi: Balkanweb
KLSH: Rritet borxhi tatimor, arrin 64.5 mld lekë