Kina ka nisur një operacion gjigand blerjesh në Ballkan. Lajmin e ka dhënë vetë ambasadori kinez në Beograd, Li Manchang, në një intervistë për agjensinë serbe Tanjug. Duket se Kina ka nisur pazarin duke blerë gjigandët e industrisë.
Gjigandët e industrisë po blihen nga Kina. Ajo nis pazarin e madh në Ballkan.

Siç e shpjegoi vetë ambasadori, bëhet fjalë për kompani të mëdha si, minierat e bakrit dhe uzinat, por edhe komplekset e mëdha agroushqimore. Nga 120 ndërmarrje shtetërore që qeveria e Beogradit ka nxjerrë në shitje, 60 prej tyre do t’i blejë qeveria kineze.
Ne jemi duke folur me komplekset më të mëdha industriale, të tilla si kompleksi i madh minerar i Borit. Një nga kompanitë tona më të mëdha ka ardhur këtu 3 herë, që tregon jo vetëm interes, por një dëshirë të fortë.
Kompleksi i borit është prodhues dhe përpunues i bakrit dhe një nga më të mëdhatë në Europë. Vetëm vitin e kaluar RTB Bor arriti shifrën e të ardhurave prej 200 milionë eurosh.
Ndërkaq, në fokusin kinez është edhe gjigandi agroushqimor PKB, i cili është prodhuesi më i madh i prodhimeve të freskëta ushqimore industriale dhe atyre të përpunuara. I vendosur në rrethinat e Beogradit, PKB ka një nivel të ardhurash në vit prej 40 milionë eurosh. Ambasadori kinez shtoi se ai po merret personalisht me negociatat për kombinatin ushqimor.
Ministria e Energjisë e Serbisë tha se në qershor do të zhvillohet tenderi për kombinatin e madh agroushqimor dhe sipas gjasave do t’u jepet kinezëve. Ministri Aleksandar Antiç tha se kandidatë të tjerë për bakrin janë edhe rusët e kanadezët. Ai tha se kushti i qeverisë është që një partner strategjik do të duhej të siguronte 300 milionë euro investime.
Për Lajm-Shqip
Ylli Pata