TIRANE- Shkarkohet Njazi Kosovrasti. Anëtarët e majtë në Këshilli Bashkiak e kanë shkarkuar këtë të fundit me 31 vota pro. Në procesin e votimit nuk kanë marrë pjesë 24 këshilltarët e djathtë. Menjëherë pas shkarkimit ka nisur votimi për emërimin e kryetarit të ri të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Të 31 anëtarët e majtë i kanë dhënë votëbesimin Aldrin Dalipit.
Pak më parë këshilltarët e majtë në Bashkinë e Tiranës kanë hyrë me forcë në ambientet e paradhomës së këshillit të Bashkisë, pas refuzimit të kërkesës së 31 këshilltarëve drejtuar kryebashkiakut Basha, që të të hapte derën me qëllim që të niste mbledhja.
Mësohet se ata kanë shqyer derën e mbyllur të bashkisë dhe me të hyrë brenda kanë nisur votimin për shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak Njazi Kosovrasti.
Anëtarë të komisionit në votim ishin Viron Bezhani, Megi Altryesa, Mehmet Hasanlami. PS-LSI përbën tashmë shumicën në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Më herët këta këshilltarë akuzuan kryebashkiakun Basha se ka bllokuar mbajtjen e kësaj mbledhje.
Mësohet se verifikimi i shkarkimit dhe emërimit i nisen për verifikim Prefektit. Ky i fundit brenda 10 ditëve i kthen përgjigje Këshillit Bashkiak.
DALIPI: KERKOJME TE DREJTEN QE NA JEP LIGJI
Sipas kreut të Këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Tiranës, Aldrin Dalipi kërkesa për mbledhjen e sotme është bërë në zbatim të të gjitha hapave ligjore. Ai theksoi se në bazë të ligjit, në momentin që ka një mazhorancë të re në këshillin bashkiak, atëherë edhe drejtimi i këtij këshilli ndryshon.
“I bëjmë thirrje kreut të Bashkisë së Tiranës të ruajë qetësinë, të zbatojë ligjin, të respektojë vullnetin e shumicës. Kemi ezauruar të gjithë hapat ligjore për thirrjen e kësaj mbledhjeje. Kërkesën ja drejtuam zotit Kosovrasti i cili shpërfilli kolegët e tij në Këshillin Bashkiak. Njoftimi për mbledhjen është bërë që ditën e hënë. Ne u gjendem përballë një fakti qesharak. Ajo që ne kërkuam dhe që na jep ligji të drejtën është një dhe vetëm një, në momentin që ka një shumicë të re, drejtimi i këshillit bashkiak të Tiranës ndryshon. Kjo jo për të bllokuar zotin Basha, por për t’i dhënë legjitimitet institucionit”- theksoi Dalipi.
Ndërkohë, 31 këshilltarët e PS dhe LSI në Bashkinë e Tiranës kanë firmosur një kërkesë drejtuar kryebashkiakut Basha, me anë së cilës kërkojnë të hapin dyert e këshillit bashkiak.
Kërkesa e tyre për të hyrë brenda bëhet me qëllim që të votohet rrëzimi i kryertarit të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, duke qënë se shumica tashmë i përket së majtës.
Por duke qënë se zyrat e Protokollit të Bashkisë janë mbyllur, këshilltarët mësohet se do ia dorëzojnë Bashës në dorë këtë kërkesë.
KESHILLTARET PS-LSI AKUZA BASHES PER BLLOKIMIN E MBLEDHJES
Këshilltarët e majtë akuzojnë Bashkinë e Tiranës për bllokimin e kësaj mbledhje të parashikuar për paraditen e sotme.
Sipas anëtarit të PS-së në Këshillin Bashkiak, Florian Pullazi është Bashkia e Tiranës ajo që nuk lejon mbajtjen e kësaj mbledhje.
Ai shprehet se këshilltarët e majtë janë në pritje të një përgjigje nga kryebashiaku Basha në lidhje me zhvillimin e mbledhjes.
Ndërkohë më herët kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi akuzon kreun e Bashkisë, Basha për bllokim të mbledhjes së këshillit.
Në profilin e tij në Twitter ai akuzon Bashën se ka ndërruar natën bravën e sallës së KB.
“Të arrinte deri këtu Basha sa të nderonte natën bravën e sallës së KB, të bllokonte tel e këshillit, të ndërronte pasë e kompjuterit të KB. Turp. Të bëjmë dhe njëherë thirrje ruaj qetësinë pranoje shumicën mos e përjeto kaq me dhimbje këtë situatë. Ka një shumicë të re për qytetarët!”- shkruan Dalipi.
Sipas tij, grupet e PS dhe të LSI i bëjnë thirrje Bashës të mos e tensionojë situatën, duke i kujtur se është në sytë e qytetarëve, mediave dhe faktorit ndërkombëtar.
“Rreth bashkisë forca të shumta të policisë bashkiake. Do mbrojnë bashkinë nga këshilltarët? Përgjegjësia për cdo akt të nxituar e L.Bashës”- shkruan ai.
03.05.2013
Burimi: Balkanweb