Azmi dhe Lumturie Metohu kërkojnë drejtësi për aksidentin që i ka ndodhur mbesës së tyre 5 vjeçare, si pasojë e të cilit humbi dhe jetën. Kjo ngjarje ndodhi në muajin qershor në Kurjan të Roskovecit.
Gjyshërit ndihen mjaft të zhgënjyer prej shtetit dhe dyshojnë se provat janë manipuluar. Sipas tyre personi që aksidentoi mbesën e tyre i cili jeton në SHBA ka paguar me dollarë prokurorinë që çështja të mbyllet.
Ja si shprehen ata:
“Jemi të zhgënjyer nga Prokuroria e Rrethit Fier. Na është bërë një padrejtësi e madhe, dhe tashmë nuk na presin më në prokurori. Mungon procesverbali i kqyrjes së automjetit, mungon deklarimi i personave që kanë qenë dëshmitarë. Ne nuk na intereson burgu i atij personi.
Kërkojnë drejtësi gjyshërit e 5 vjeçares, gjaku i mbesës sonë u mbulua me dollarë amerikan…
Ne duam që të ketë drejtësi dhe rasti jonë të mos përsëritet te fëmijë të tjerë. Ne jemi betuar mbi varrin e mbesës që sa të kemi frymë do të kërkojmë drejtësinë. Familjarët e drejtuesit të mjetit na kanë ardhur në banesë, i kam pritur, dhe u kam thënë se unë nuk do të marr hak. I kam pranuar në shtëpi dhe në varrim.
Për kë të vuaj më parë unë, për mbesën që e varrosëm, apo për djalin që vuan kur i kalon krimineli te këmbët thotë që do e vrasë, të bëhemi dhe ne vrasës si ai i them? Shteti merr ekspertë privat, pse ka vdekur shteti që duhet të merret privat? Është hedhur lëkë, është hedhur para, ai që bëri aksidentin jetonte në Amerikë, dhe dollari mbuloi gjakun e vajzës.
Ne kemi bërë një kërkesë për protestë në Policinë e Fierit, dhe to ta vazhdojmë derisa të dalë e vërteta. Vajza ishte në derën e lokalit dhe te vijat e bardha, ndërsa makina ka qenë me shpejtësi shumë të madhe, jo 20 kilometra sa thuhet në ekspertizën e prokurorisë.
Kërkoj përmes emisionit tuaj që të ketë ekspertë nga Tirana dhe një përfaqësues nga prokuroria e përgjithshme, dhe të bëhet riekspertiza e këtij aksidenti.
Eksperti rrugor Ilir Balliu në bashkëpunim me prokurorin Hysen kanë vendosur të marrin ekspert privat Artur Sulçen, që për mua i ka bërë këto letra nga tavolina e rakisë. Jemi shumë të ofenduar nga shteti, pasi na e vranë mbesën për herë të dytë. U vra një fëmijë i pafajshëm, nuk u vra një zog”, shprehen dy gjyshërit.

Për lajm-shqip:
Klajdi Thaçi
19.09.2018