Kaos ne Stamboll- Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan deklaron se protestat e dhunshme që kanë shpërthyer prej disa ditësh në disa qytete të vendit, janë organizuar nga grupe ekstremiste jashtë Turqisë. Ndërsa lëshoi një apel për qetësi, kryeministri turk fajësoi edhe rrjetet sociale si shkaktarë të trazirave të krijuara në vend.
Ndërkohë, Fondacioni turk për të drejtat e njeriut konfirmoi vdekjen e një tjetër protestuesi, i cili u qëllua në kokë me armë zjarri. I riu është identifikuar si Ethem Sarisuluk. Ndërkohë në rrjetet sociale vijojnë të qarkullojnë fotografi dhe video të shumta, në të cilat duket qartë reagimi i dhunshëm i policisë ndaj protestuesve. Sipas Amnesty International, qindra persona janë paraqitur në spitale me plagë në trup, ndërsa 5 prej tyre janë në rrezik për jetën.
SULMOHEN ZYRAT E KRYEMINISTRIT, ERDOGAN: RRJETET SOCIALE, KËRCËNIM
Ora: 10:41 – Protestuesit turq janë përleshur me policinë në orët e para të ditës së sotme në qytetin më të madh të vendit, Stamboll, ndërsa disa i kanë vënë zjarrin zyrave të Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi të kryeministrit Erdogan.
Protestuesit sulmuan policinë me pllakat e trotuareve, ndërsa forcat e rendit reaguan duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestat anti-qeveritare që hynë në ditën e katërt.
Dhjetëra mijëra persona morën pjesë në Ankara, Stamboll dhe qytete te tjera. Autoritetet shëndetësore thonë se rreth një mijë persona janë plagosur në Stamboll, dhe 700 në Ankara. Qeveria ka dhënë një shifër shumë më të ulët.
Ministria e Brendshme tha se më shumë se 1 mijë e 700 persona janë arrestuar, edhe pse shumë nga ta janë liruar.
“Por shumica prej tyre janë liruar, u shpreh ministri i Brendshëm turk, Muammer Guler.
“Shumica e personave të arrestuar janë liruar pasi u identifikuan dhe u morën në pyetje”, deklaroi ai duke shtuar se se 58 civilë dhe 115 policë ishin plagosur gjatë protestës.
Aktet e dhunës shpërthyen të shtunën pas planeve të qeverisë, për të shkatërruar një park të gjelbëruar e për të ndërtuar një qendër tregtare.
Ndërkohë protestuesit shprehen se qeveria turke po bëhet gjithnjë e më shumë autoritare. Kryeministri Erdogan i ka quajtur protestat jodemokratike dhe të provokuara nga opozita. Ai tha se përgjegjësia për trazirat në vend është e rrjeteve sociale, që sipas tij po shndërrohen në një kërcënim të vërtetë për vendin.
03.06.2013
Burimi: Balkanweb