Ambasadorja e re e SHBA-së, Tracey Jacobson do të shkojë në Prishtinë gjatë kësaj jave. Ajo është shprehur për bashkëpunimin me popullin dhe Qeverinë e Kosovës për t’i forcuar edhe më tej lidhjet e miqësisë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.
Jacobson përmes një videoje ka prezantuar veten para qytetarëve të Kosovës. Ajo ka theksuar se misioni i saj do të jetë ai i një partneri të fuqishëm në përpjekjet për forcimin e një demokracie shumetnike dhe të një ekonomie të suksesshme drejt rrugës evropiane.
“Mezi pres të bashkëpunoj me qeverinë dhe popullin e Kosovës për t’i forcuar më tej lidhjet tona të miqësisë. Misioni im do të vazhdojë të jetë ai i një partneri të fuqishëm në përpjekjet për forcimin e një demokracie shumetnike dhe të një ekonomie të suksesshme drejt rrugës evropiane”, është shprehur ambasadorja Jacobson, bën të ditur RTK.
Ambasadorja e re e SHBA-së në Kosovë ka punuar për 24 vjet në shërbimin diplomatik. Jacobson ka punuar edhe gjatë administratës së presidentit Clinton. Ajo ka shërbyer në Azinë Qendrore dhe vendet baltike, ndërsa së fundi ka punuar në Institutin e Shërbimit të Jashtëm në përgatitjen e gjeneratave të reja të diplomatëve amerikanë.
Ambasadorja Jacobson është pasardhëse e ambasadorit Dell, i cili përfundoi misionin pak kohë më parë.
09.08.2012
Burimi: Top Channel