Ish kreu i shërbimit dentar në Vlorë, stomatologu Enver Brahimi, është një prej mjekëve më të njohur në qytetin e Vlorës, ku pak ditë më parë ka marrë dhe një vlerësim nga urdhëri i stomatologut.
Ka qenë ndër të parët që ka pritur dhe mjekuar shumë shtresa që prej kohës së komunizmit dhe deri në ditët e sotme.
Në një rrëfim të veçantë për Lajm-Shqip ai tregon se si nisi karriera e tij dhe si funksiononte vite më parë ky sektor.
1. Si e mbani mend fillimin e karrierës? Cilat kanë qenë vështirësitë?
Mbasi mbarova fakultetin e mjeksisë, në degën e stomatologjisë në vitin 1971, u emerova në rrethin e Tepelenës, në fshatin Buz. Ishte zona më e thellë që përmblidhte 22 fshatra. Fillimisht krijova me ndihmën e pushtetit vendor, kabinetin dentar pranë spitalit të Buzit. Puna ishte sa e bukur aq dhe e vështirë. E bukur sepse e dashuroja profesionin dhe e vështirë se duhej të përballoja me shërbim, mjekim e protezim, gjithë zonën plus dhe mjekimin e të gjithë nxënësve të zonës.
2. Sa dentistë ka pasur në rrethin e Vlorës?
Mbasi u ktheva nga rrethi i Tepelenës në rrethin e Vlorës, u emërova pranë spitalit të Sevasterit. Mbas 4 viteve punë në Sevaster emërohem në qendrën ambulatore Peshkëpi, Vlorë, për 8 vite rresht. Në vitin 1989 emërohem në qendrën industriale Vlorë për 1 vit. 1990 emërohem pranë klinikës qëndrore, Vlorë. Në vitin 1993 emërohem në postin e drejtorit të shërbimit. Në vitin 1995 kaloj në shërbimin privat.
3. Si i ka fillesat shërbimi dentar në Vlorë?
Shërbimi dentar në Vlorë ka filluar në vitin 1918. Në vitin 1922-1924 vijnë në Vlorë armenasi Emanuel Berberjan dhe Azdurjan. Më vonë erdhi në Vlorë dhe Ilia Matathia, me origjine hebre. Ata mbuluan shërbimin dentar deri në vitin 1948. Kohë në të cilën u bë shtetëzimi i shërbimit stomatologjik. Në vazhdim u hapën kurse 1 vjeçare për dentist. U hap teknikumi në Tiranë derisa erdhën mjekët e parë stomatologë që kishin studiuar jashtë vendit. Drejtorët e parë të shërbimit dentar kanë qënë Dr. Dhori Pojani, Isuf Kasapi. Në vitin 1961 filloi punë në klinikën e Vlorës edhe si drejtues Lluk Gjidede. Më pas, shërbimin e drejtojnë me radhë, nga 1988-1995 Halit Harizi, Vigjilent Xhaferaj si dhe unë. Nga viti në vit kuadri i mjekëve dhe ndihmës mjekëve erdhi duke u shtuar. Bumi më i madh ishte në vitet 1980-1990 ku numri i personelit arriti në 100 mjekë.
4. Veçoni ndonjë ngjarje pikante të karrierës tuaj?
Gjatë punës shumë vjeçare sigurisht që ka patur raste pikante dhe këto kryesisht gjatë viteve të punës që kam shërbyer në fshatra. Shumë herë kam qenë i detyruar të bëj edhe detyrën e mjekut të përgjithshem, me vizita e diagnostikime.
5. Kush kanë qenë pacientet më të vështirë në vite?
Pacientet më të vështirë në vite kanë qenë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Me femijët duhet të kesh shume durim, të përkushtohesh shumë, të mundohesh t’i bindësh dhe mbi të gjitha mos të tremben. Përndryshe, u bëhet fobi dentisti për gjithë jetën. Kuptohet, dhe të moshuarit kërkojnë më tepër durim dhe kujdesje.
6. Cilat kanë qenë ndryshimet themelore të shërbimit në profesion?
Ndryshimet janë shumë të mëdha dhe të pakrahasueshme,si në teknologji dhe në ngritje profesionale. Në fillimet e punës kemi punuar me trapano me këmbë,me 3000-4000 xhiro,me kushte higjeno-sanitare të pakrahasueshme me këto të sotmet. Mbushjet e dhembeve i bënim me amalgam që punohej në hava,me dorë,sterilizimi sot është absolut me autoklavë ,atëherë nuk ishin këto kushte. Sot punohet me shiringa një perdorimshe,atëherë punohej me age që sterilizoheshin me zierje. Me privatizimin e shërbimit,kushtet,cilësia e punimeve në të gjithë komponentet e shërbimit është në shkallën sipërore.
7. Cila është këshilla për mjekët e sotëm?
Dashuri për profesionin, ndërgjegje e lartë në punë duke mos ju ndarë librit asnjëherë, duke ecur me kohën. Ajo që është më e rëndësishme që duhet ta theksoj, respekt maksimal për pacientin.
Për Lajm-Shqip
Enrik Mehmeti
05.01.2018