Ja formacioni më i mirë i Kupës së Konfederatave
Uebsajti prestigjioz “Goal.com” ka publikuar formacionin më të mirë të Kupës së Konfederatave, duke u bazuar te rendimenti dhe kontributi i futbollistëve në ecurinë e Kombëtareve të tyre. Brazili dominon qartësisht, me pesë lojtarë në 11-she, i ndjekur nga finalistët e Spanjës me tre. Në portë nuk kishte se si të mungonte Hulio Sezar, i cili ka qenë pa diskutim një nga heronjtë në triumfin e “Seleçaos” me pritjet e tij mbresëlënëse. Në mbrojtje, David Luiz gjithashtu është “i pazëvendësueshëm”, ndërkohë që shoqërohet nga Xherard Pike dhe Daniele de Rosi. Këta të fundit kanë qenë mjaft stabël në paraqitjet e tyre, madje janë munduar të mendojnë dyfish në mbrojtje, për shkak të gabimeve të shpeshta të partnerëve që kanë pasur në këtë repart. Paulinjo dhe Iniesta janë dy emra që, gjithashtu, nuk mund të mungonin. Braziliani ishte një prej zbulimeve të turneut, ndërsa spanjolli si gjithnjë bëri diferencën me klasin dhe elegancën e tij. Zhordi Alba ishte një “motor” që nuk u fik asnjëherë në krahun e majtë, duke luajtur me një ritëm të lartë në të gjitha ndeshjet. Ndërkohë, emri surprizues është ai i Alvaro Gonzalezit. Mund të mos ishte futbollisti që ra më tepër në sy tek Uruguai, por ka qenë ai që ka vrapuar dhe ndihmuar më tepër skuadrën. Statistikat e mesfushorit që aktivizohet me Lacion janë mbresëlënëse. I palodhshëm, shkatërrues aksionesh dhe ka dhënë dy asiste. Mjaftueshëm për të merituar një vend në formacionin më të mirë. Sa i përket sulmit, kandidatët janë sa të shumtë, aq edhe të lehtë për t’u zgjedhur. Të paktën dy prej tyre janë të sigurt, pikërisht Nejmar dhe Fred. Ndërkohë, emri tjetër është Emanuele Xhakerini. Kushdo mund të priste lojtarë si Kavani apo ndonjë bomber tjetër që shënoi gola të mrekullueshëm. Gjithsesi, italiani ka qenë tepër i rëndësishëm në ecurinë e skuadrës. Jo vetëm me golin e shënuar kundër Brazilit, por edhe me kontributin e vyer në përballjet e tjera.
03.07.2013
Burimi: Panorama.com