Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi nëpërmjet një interviste ekskluzive për gazetën “Shekulli” ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij dhe votën në Asamblenë Parlamentare të Komisionit të Europës. Ndërkaq, për çështjen e ish të përndjekurve Idrizi deklaron se qeveria aktuale dhe ajo e mëparshme kanë gabuar që në fillim me strategjinë dhe trajtimin e tyre.
Z. Idrizi përse votuat kundër Rezolutës së KiE, cila është e vërteta e votës së mazhorancës në Asamblenë Parlamentare të BE-së? A mund te komentoni votën tuaj me terma më të thjeshtë për opinionin publik?
Më vjen keq që ju po vazhdoni të pyesni për një çështje që nuk është çështje, por në respekt të lexuesit tuaj po përgjigjem. Pse e them këtë? Sepse gjithçka që u tha ishte një gënjeshtër absurde dhe e qartë si drita e diellit. U tha që amendamenti u propozua nga Azerbajxhani, ndërkohë që rezolutën e propozuan pesë deputetë, të gjithë nga vendet e Bashkimit Evropian, që më shumë se kaq, ishin një nga çdo grup parlamentar që ka Parlamenti i Evropës. Dhe më shumë se kaq, më lejoni t’ju pyes: a u interesua ndonjë gazetë se kush votoi pro dhe kush kundër atij amendamenti? Shihni në faqen zyrtare dhe do dalloni që votuan 89 pro dhe 89 kundër dhe nuk u miratua ky amendament vetëm për një votë. Nga këta të 89 më shumë se 2/3 vinin nga vende të Bashkimit Evropian. Dhe nëse doni ta dini shumica e partive ekstremiste në Kuvend votuan kundër amendamentit të dytë… Amendamenti, që unë, deputetët shqiptarë dhe anëtarët e delegacioneve të tjera nga vende të BE-së, që siç ju thashë përbënin 2/3 e atyre që votuan pro, thoshte që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut duhet të përcaktojë kush është i burgosur politik dhe jo thjesht të lihej në duart e një rezolute të Këshillit të Evropës. Ky është debat juridik. Arsyeja se përse shumica e deputetëve italianë, spanjollë, gjermanë, shqiptarë, turq, grekë, etj. u bashkuam me këtë rezolutë është sepse Rezolutat e Këshillit të Evropës nuk kanë fuqi detyruese dhe si pasojë ato do të mbeten në letër, nëse nuk ka një instancë që t’i bëjë detyruese. Kaq ishte historia e amendamentit, që vetëm në mediat shqiptare na doli si amendament “azerbajxhani” kur deputetët azer nuk kanë asnjë lidhje me të. Dhembi të gjitha nëse PS do i jepte këtë lloj rëndësie debatit në fjalë, pse nuk i dërgoi deputetët e vet në sallë, që të votonin? Mjafton të shihni dokumentet e afishuara në faqen ëeb të Këshillit të Europës dhe do të kuptoni të vërtetën.
Dalja juaj, e PDIU-së, përkrah dhe në suport të ish të perndjekurve politikë, kur qëndrimi i mazhorancës është kundër grevës së tyre pasi është politike, mos rrezikon marrëdhëniet tuaja me koalicionin qeveritar?
Shikoni, PDIU-ja është një parti ku bëjnë pjesë shumë ish të persekutuar politikë, ish pronarë, etj. Ne e kemi dhe në programin tonë zgjidhjen e çështjes së pronave, dëmshpërblimin e të persekutuarve. Ne jemi për një zgjidhje tërësore që të mbajë parasysh nevojën për drejtësi ndaj tyre, riintegrimin tërësor të asaj shtrese, mundësitë ekonomike dhe financiare të shtetit. Në këtë kuptim, ajo që ne bëmë është plotësisht brenda programit tonë. Ne jemi bërë pjesë e koalicionit me kusht që të respektojnë programin tonë.
A nënkupton kjo mbështetje një shkëputje të mundshme nga koalicioni i qeverisë dhe bashkimi me të majtën?
Ka ikur koha e ndarjeve të forta ideologjike të së shkuarës. Në lidhje me këtë çështje, ne kemi këtë qëndrim që na diferencon nga qeveria, pra ne jemi për komunikim midis qeverisë dhe grevës. Ne kemi mendimin se ndaj ish të persekutuarve është gabuar që në fillim. Nuk është menduar për një zgjidhje tërësore, në sistem, me themel, që të parashikonte përfshirjen e tyre në privatizimin e pasurive kombëtare në masën e dëmshpërblimit që u takon me ligj dhe integrimin e tyre shoqëror me forma të tjera. Duhej zgjedhur një model i suksesshëm i trajtimit të tyre dhe kjo çështje do duhej të ishte zgjidhur shumë më herët. Por, ne s’kemi të njëjtin qëndrim si e majta, që ngjan pak e panatyrshme dhe jorealiste në lidhje me qëndrimin ndaj ish të persekutuarve. Asnjë parti s’mund të premtojë diçka që s’mund ta realizojë dot nëse vjen në pushtet dhe prej të majtës po bëhen premtime të tepruara. Prandaj, ne qëndrojmë përtej të dyja pozicioneve, në një pozicion më realist.
Do te vazhdoni te jeni ne koalicion parazgjedhor dhe zgjedhor me këtë mazhorancë, me të djathtën për zgjedhjet e 2013-s?
Siç e kemi bërë të qartë, ne jemi një parti që ka në fokus të saj zgjidhjen e Çështjes Çame. Kjo çështje nuk zgjidhet duke ndenjur në opozitë, sepse kërkon rol aktiv të qeverisë në kontaktet diplomatike. Pra, ne duhet të jemi parti institucionale. Në këtë preferencë strategjike nuk jemi motivuar nga komoditeti, por nga dobia: si t’i shërbejmë sa më mirë çështjes kombëtare, në veçanti Çështjes Çame, duke respektuar programin dhe prirjet e votuesve tanë. Dhe më duket kemi dhënëprova, se brenda kësaj qasjeje ne kemi arritur të afirmojmë interesin tonë kombëtar, siç ishte rasti i Marrëveshjes së Ujërave, censusit, qëndrimeve ndaj Kosovës, Maqedonisë, etj. Mbi të gjitha kemi fituar betejën me kohën, sepse tragjedia çame është kryer gati 70 vjet më parë dhe koha bën të vetën. Por, falë nesh, si kurrë më parë sot flitet për Çështjen Çame si një çështje e shtruar për zgjidhje. Edhe zbutjen e palës greke, që u vu re në takimet e zotit Panariti, e shoh si ndikim të faktorizimit të PDIU-së. Ne ekzistojmë, mbajmë qëndrime të forta dhe të menduara politike, jemi faktorë kyç për mbijetesën e qeverisë, pra çdokush është i detyruar të na konsiderojë seriozisht. Edhe grekët.
A keni nostalgji për PS-në?
Po flasim për politikën, ndaj më duket pakuptim kjo pyetje. Sigurisht unë mendoj se në të gjithë partitë shqiptare ke burra dhe gra patriotë dhe mes tyre kam shumë miq, kudoqofshin.
Si e komentoni dhënien e statusit me kusht nga BE deri në dhjetor? A është ky veprim një ndëshkim për këtë qeveri?
Mua më duket se është një vlerësim për prirjen europiane të shqiptarëve siç thoshte Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule në një editorial të vetin, kur e ekzaltonte këtë prirje. Më duket se është një fitore strategjike e shqiptarëve si komb që s’po mbeten prapa Serbisë në garën për integrimin europian, sepse përndryshe do kushtëzohemi dhe bllokohemi prej saj qoftë si Shqipëri, qoftë si Kosovë. Më duket se nuk ka moment ndëshkues për qeverinë në këtë vendim, sepse kushtet që janë vendosur nuk janë vetëm për të, por për gjithë klasën politike shqiptare.
Ngritja e Çështjes Çame nga Ministri Panariti në Athinë ishte lëvizje politike, demagogji, fushatë apo shashkë për të humbur gjurmët e rënies dakord pa kushte me marrëveshjen Detare Shqipëri-Greqi?
Lëvizje politike? Pse ç’bëjnë institucionet, nuk bëjnë politikë? Unë jam shumë vlerësues për ngritjen e Çështjes Çame nga ana e zotit Panariti në një takim zyrtar diplomatik. Siç mund ta imagjinoni në respekt të etikës dhe protokollit diplomatik, shumë gjëra prej atij takimi s’janë thënë kështu që ju ftoj dhe juve të jeni vlerësues. E vlerësoj si sukses këtë takim, jo pse kam një kontribut në ngritjen e kësaj çështjeje, me thirrjen publike që i bëra zotit Panariti, me kontaktet telefonike me të, me zotin Meta.
11.10.2012
Burimi: Gazeta Shekulli
Ja e vërteta e votës time...
Ja e vërteta e votës time…
Etiketime Asambleja asambleja parlamentare Bashkimi Europian bashkimi evropian be gazeta shekulli Komisioni Europian komisioni evropian kryetari lajme nga politika lajme politike parlamenti europian parlamenti evropian PDIU politika politika e jashtme e shqiperise politika shqiptare politike shekulli shekulli lajm i fundit Shpetim Idrizi www