Ja çfarë mund ta ketë shtyrë Shkëlzen Qordjan drejt vetëvrasjes …
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme ka referuar materialin hetimor në Prokurorinë e Tiranës, duke e cilësuar vdekjen e Shkëlzen Qordes, shofer i ministrit Xhafaj, si një shkaktim vetëvrasje.
Oficeri i SHÇBA që ka kryer veprimet hetimore ka konstatuar në relacionin e tij dhe ka referuar materialin duke ju referuar nenit 99, që flet për shkaktimin e vetëvrasjes.
“Të gjitha provat e administruara në dosje tregojnë se autor i vdekjes së Shkëlzen Qordes është vetë viktima” – thuhet në relacionin e policisë përcjellë prokurorisë së Tiranës.
Më tej, në këtë relacion thuhet se viktima mund të jetë ndikuar nga persona të paidentifikuar. Në rrethana të paqarta, ai ka marrë vendimin për të vrarë veten. Tashmë do të jetë prokuroria e Tiranës ajo që do të vijojë hetimet për këtë ngjarje.
Vetëvrasja që tronditi Ministrinë
Shkëlzen Qordja, shoferi personal i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është vetëvrarë brenda në makinën e tij, në ambjentet e Gardës së Republikës Tiranë.
Ngjarja, që tronditi Gardën dhe ministrinë, ka ndodhur në mëngjesin e të shtunës. Atë mëngjes kur një nga kolegët e Qordes në Gardën e Republikës ka njoftuar eprorin e tyre se kishin gjendur 31-vjeçarin të vdekur në makinën e punës.
Sipas një burimi pranë prokurorisë së Tiranës, Qordja është vetëqëlluar me armën e shërbimit, një miniautomatik i llojit MP-5.
“Është vetëvrasje. Armën e ka mbështetur me puthitje poshtë në mjekër dhe ka qëlluar. Për shkak se arma ishte automatike, ka bërë tri qitje dhe një nga plumbat ka hyrë në nofull. Ndërsa tjetri ka depërtuar në kokë e ka plasaritur xhamin e makinës. Xhami i makinës është plasaritur, por nuk është thyer pasi ka qenë i blinduar” – tha një burim pranë prokurorisë së Tiranës.
Ja çfarë mund ta ketë shtyrë Shkëlzen Qordjan drejt vetëvrasjes…
Shtyrja drejt vetëvrasjes
Prokurorët thanë se 31-vjeçari Shkëlzen Qordja mund ta ketë kryer aktin e vetëvrasjes në kushtet e depresionit, apo i shtyrë nga një person tjetër. Por, megjithatë, asgjë nuk dihet rreth arsyes kryesore pse ai ndërmori një veprim kaq ekstrem ndaj vetes.
Prokuroria e Tiranës, Policia e Shtetit dhe SHÇBA, në një njoftim të përbashkët deklarojnë se provat e mbledhura deri më tani tregojnë se kemi të bëjmë me një vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja, Shkëlzen Qordja ka një plumb në kokë. Ndërsa dy plumbat e tjerë kanë përfunduar te xhami i makinës. “Nga veprimet e para hetimore, rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi Qordja.
Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda. Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese. Plagë të shkaktuara nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë.
Në vendngjarje u gjetën tri gëzhoja të qitura. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit” – thuhet në deklaratë.

Për Lajm-shqip
Jorida Fataj