Izet Haxhia ka nxjerrë detaje të reja rreth vrasjes së Azem Hajdarit.
Përveç Berishës dhe Fatos Klosit, dy personazhe të tjerë i janë bashkangjitur skenarit.
Ata janë Fatos Nano dhe Jaho Mulosmani.
Sipas Izet Haxhisë Nano duhej rrëzuar patjetër. Ai po pengonte trafikun e armëve në drejtim të Kosovës. Ky trafik ishte monopol i “grupit të Rognerit” të mbështetur fuqimisht nga SHIK-u dhe Fatos Klosi.
Jaho Mulosmani në pretendimin e Izet Haxhisë ka qenë ndërmjetësi mes Fatos Klosit dhe Haklajve.
Haklajve u ishte thënë se Azem Hajdari dhe PD ishin përgjegjës për vrasjen e vëllait të tyre.
Ndërsa Berisha ka patur dijeni për atë që do të ndodhte dhe e shfrytëzoi në maksimum mundësinë e eleminimit të kundërshtarit të drejtëpërdrejtë në parti.
Për këtë shkak e nxori në pritë natën e 12 shtatorit.
Izet Haxhia: Duhej rrëzuar Nano, qëllimi i vrasjes së Azemit ishte…
Më poshtë rrëfimi i plotë i Izet Haxhisë në lidhje me çështjen:
“Nano duhej rrëzuar sepse po pengonte trafikun e armëve në drejtim të Kosovës që ishte monopol i ‘grupit të Rognerit’ të mbështetur fuqimisht nga SHIK-u dhe Fatos Klosi. Për të gjetur vrasësit, u përdorën intrigat e Klosit te Haklajt, duke trilluar tek ata se vëllai i tyre ishte vrarë nga Azem Hajdari dhe PD.
Gjithë këto ndërmjetësime të Klosit e ‘grupit të Rognerit’ me Haklajt janë bërë nga Jaho Mulosmani, njeri i besuar i Klosit, që hynte e dilte në zyrën e kreut të SHIK-ut si në shtëpinë e vetë.
Janë po këta persona që strehuan Mulosmanin në Kosovë dhe kur iu desh Fatos Klosit, ia dorëzuan në këmbim të dërgimit të familjes së tij në Amerikë. Mulosmanit iu premtua se do të dënohej jo më shumë se dhjetë vjet burg, vetëm që të dëshmonte në gjyq kundër meje.
Sa i takon Sali Berisheës, ai ka pasur dijeni për këtë skenar të vrasjes së Hajdarit dhe iu paraqit rasti i artë që të eliminonte kundërshtarin kryesor në parti, duke e nxjerrë në pritë natën e 12 shtatorit”.

Klajdi Thaçi
13.03.2018