Ish-Presidenti Bujar Nishani: Shqipëria në udhëkryq!… Të dashur miq! Shteti ynë i përbashkët është futur në kolaps të plotë.
Ish-Presidenti Bujar Nishani: Shqipëria në udhëkryq!…
Është futur shteti në kolaps. Sepse janë në kolaps shtyllat e tij kryesore. Mekanizmat e funksionimit të tij janë jashtë loje! Është futur në kolaps ekonomia. Prej disa vitesh nuk flitet për “investime”. As si politikë e as si realitet. Motori i një ekonomie që zhvillohet është politika e investimeve. Kryesisht në sektorët e prodhimit. Por dhe në infrastrukturë dhe shërbime. Investimet zero! E vetmja para që lëvrohet me shumicë është valuta e huaj. Dhe kjo produkt i trafikut të narkotikëve.
E vetmja fushë që kjo lloj paraje cek, është betonizimi. Jo vetëm si politikë e mbytjes dhe ndotjes urbane. Por dhe si pastrim i pisllëkut kriminal të parasë ilegale. Fundi i tunelit të kësaj rruge mbetet tmerrësisht i errët. I destinuar për përplasje fatale. Infrastruktura asnjë investim, (sheshet e disa qyteteve përfshirë Tiranën përveçse një shëmti urbanistike rezulton të jetë dhe një shpërdorim marramendës i parave të shqiptarëve. Preventiva miliardëshe me çmimet e luksit evropian dhe punime të skaduara brenda viti.

Që nga palmat e thara tek pllakat e thyera dhe gropat e hapura. Paratë e spitaleve, pensioneve, rrogave, ilaçeve, kopshteve e çerdheve të fëmijëve ku janë?. Të shpërdoruara dhe grabitura si % korrupsioni në këtë spekulim të propagandës së fasadës për mashtrim publik dhe elektoral. Rrogat dhe pensionet; asnjë përmirësim në 5 vite, por pakësim në raport me rritjen e çmimeve, taksave dhe korrupsionit në marrjen e shërbimeve.Asnjë investitor i huaj! Mbyllje të biznesit të vogël dhe të mesëm dhe largim në emigracion i fuqisë më energjike të punës dhe trurit më të ri. Kolaps i institucioneve te shtetit! Shkatërrimi i institucionit të zgjedhjeve përmes injektimit dhe kalcifikimit të kulturës së blerjes së votave nga grupet e të fortëve të licencuar për “biznesin” e hashashit, heroinës, kokainës dhe tenderëve të parave publike.
Ish-Presidenti Bujar Nishani: Shqipëria në udhëkryq!…
Politizimi ekstrem, nepotizmi dhe korrupsioni i të gjitha niveleve ka atrofizuar totalisht administratën e institucioneve të qeverisë. Shërbimi më jetik për njeriun, ai shëndetësor. Është shndërruar në një monstër ku në vend të lehtësimit dhe shërimit të vuajtjeve ato shtohen e rëndohen. Institucionet e drejtësisë janë futur në kolaps total.Nën kontroll të plotë partiak duke e kthyer Shqipërinë në një Zuzuland unikal ku Gjykata Supreme dhe ajo Kushtetuese janë nxjerrë jashtë funksionit duke i shpërbërë dhe Shqipëria është kthyer i vetmi vend në botë ku pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ (i njehsuar me atë ekzekutiv në fakt) nuk kanë kurrfarë kontrolli ligjor. Prokuroria e Shteti pas 25 vitesh të lindjes së shtetit ligjor u kthye totalisht deri në kufijtë e qesharakes. U kthye në një zyrë avokatie të qeverisë dhe atyre anëtarëve të maxhorancës qeverisëse të kapur në flagrancë në skandale dhe krime penale.
Policia e Shtetit e tradhtuar dhe paralizuar. Legjitimiteti i të cilës i shndërruar si një bucelë argjile që mund të përplaset në tokë në çdo moment. Në cdo cast nga duart e pakontrolluara të narkomanëve që justifikimin e papërgjegjshmërisë së tyre e kanë të garantuar tek modeli i kreut të Ministrisë së Brendshme, familjar i veprimtarisë së trafikut ndërkombëtar të kokainës. Kjo tradhti dhe paralizë e policisë së shtetit nuk konfirmohet vetëm nga intensiteti i frikshëm i krimeve.Aq të përhapura si vjedhjet masive të shtëpive dhe bizneseve të qytetarëve apo trafikut të kanabisit të magazinuar prej një viti e që s’ka të ndalur. Vrasjet që po shtohen çdo mesdite qyteteve të vendit.
Por më së shumti tek modeli zyrtar që dikton i pari qeverisë në imponimin përmes dhunës që të jep pushteti autokrat, se kush duhet të hetohet, si duhet të hetohet, çfarë akuze i duhet bërë, sa dhe si duhet të dënohet dhe se tek kush nuk duhet guxuar të afrohet hetimi dhe zbatimi i ligjit.Policinë, prokurorinë dhe gjykatën jo vetëm i paralizoj totalisht shfaqja tragji-komike e Kryeministrit “me ekspertizën anonime” të përgjimit audio të vëllait trafikant të Ministrit të Brendshëm dhe përpëlitjet e sforcuara të taborit të agjitatorëve qeveritarë, por tashmë deri në rikthimin e shtetit në Shqipëri ato janë inegzistente “de facto”.Sensi i gjendjes psikologjike të qytetarëve në ngërç të pa ndeshur kurrë më parë!
Paralizë totale e energjive pozitive të shqiptarëve. Humbja e shpresës dhe besimit ka zëvendësuar dëshirën, ambicien, angazhimin dhe përpjekjet. Udhëkryq më të mjegullt s’kanë patur kurrë Shqipëria dhe shqiptarët. Këto, padyshim janë konstatime që i bën gjithkush sot. Këtë kolaps të shtetit e sheh dhe e prek secilin prej nesh sot. Por dhe përgjegjësitë për shpëtimin e tij janë tek çdonjërit prej nesh sot! Të dashur miq! Angazhimi qytetar e civil për interesin e fëmijëve dhe të nesërmes ndryshe është intubimimi i vetëm. Kjo për oksigjenin që do rikthejë shtetin në Shqipëri.!..
Për Lajm-Shqip
Vladimir Muçaj