Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume ka shpjeguar se çfarë mund ndodhë nëse PD djeg mandatet.
Ai tha se nuk ka asnjë ngërç ligjor që e pengon heqjen dorë nga mandati dhe nëse ndodh Kuvendi i Shqipërisë njofton KQZ për plotësimin e vakancave.
“Djegia e mandateve është veprim ekuivalent me atë të dorëheqjes nga një mandat i caktuar. Pra, është një veprim që nuk ka asnjë ngërç ligjor para se të realizohet.
Në qoftë se realizohet një ngërç i tillë do të thotë që në Kuvendin e Shqipërisë krijohen vakancat dhe për pasojë Kuvendi i Shqipërisë duhet të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të plotësuar vakancat.
Mënyra se si plotësohen vakancat në këtë rast nuk është e shprehur direkt në kodin zgjedhor por për analogji mund të përdoret rasti kur parashikohet në ligj vakanca e krijuar nga një deputet i zgjedhur si i pavarur. Që do të thotë, në qoftë se KQZ do të thërrasë kandidatët e PD-së në listë dhe asnjë prej tyre nuk do të pranojë që të marrë mandatin, ky institucion duhet t’ia ofrojë mandatin pastaj subjektit zgjedhor me herësin më të madh që ka”, ka thënë Kume.
Ai theksoi se e gjitha është një teknikë legjislative dhe që problemi me të cilin jemi duke u ndeshur nuk duhet të trajtohet në këtë aspekt por për efektin që ai sjell në jetën politike dhe në qeverisjen e gjithë vendit.
“Ne jemi një shoqëri që kemi pranuar të qeverisemi sipas parimit të përfaqësimit, nëpërmjet zgjedhjes së deputetëve dhe krijimit në këtë mënyrë të maxhorancës dhe opozitës.
Duhet të jenë të dyja këto së bashku që të mund të mirë qeverisemi. Në qoftë se opozita largohet do të thotë që mundësitë, kushtet për t’u mirë qeverisur zvogëlohen. Zvogëlohen deri në minimume”, u shpreh ai.
Elona Tereziu
18.02.2019