Hysni Burgaj: “Helikopterë të ushtrisë dhe 6200 forca policie për mbarëvajtjen e zgjedhjeve”
Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka thënë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme nga ana e policisë për të pasur një proces zgjedhor të qetë dhe pa incidente. Ai bëri të ditur se mbi 6200 punonjës të policisë do të angazhohen për të ruajtur rendin e sigurinë gjatë procesit zgjedhor të 23 qershorit si dhe helikopterë të ushtrisë do të jenë në gatishmëri në rast nevoje për të ndërhyjë në zonat ku mund të ketë probleme.
Sipas Burgajt puna e 6200 forcave të policisë së angazhuara në e procesin zgjedhor do të fokusohet në drejtimin e marrjes dhe ruajtjes së QV dhe ndërhyrjen për rivendosjen e rendit publik në këto QV nëse do të kërkohet nga komisionerët, bashkëpunimin me Prokurorinë, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit në zonat e votimit dhe KQZ, bashkëpunimi me përfaqësuesit e KZAZ, monitorimi i sigurisë publike në nivel vendor e qendror , duke marrë çdo informacion me qëllim parandalimin e incidenteve.
I pyetur nëse ka ndonjë listë me zonat zgjedhore që janë më të rrezikuara për tensione, Burgaj pa dhënë zona konkrete tha se disponojnë informacione, ndërsa shtoi se për të mbajtur situatën nën kontroll janë vënë në dispozicion dhe helikopterë të ushtrisë.
“Jemi të përgatitur dhe kemi plan të veçantë për këto zgjedhje. Kemi vënë në dispozicion helikopterë të ushtrisë në zona në gatishmëri për të vepruar në çdo rast, dhe forca të gatshme për të vepruar në çdo moment”.
Duke bërë një rezyme të incidenteve elektorale të regjistruara deri më tani,
Burgaj tha se janë shënuar gjithsej 44 incidente, 8 raste para fushatës elektorale dhe 34 gjatë fushatës zgjedhore, kryesisht në Tiranë, Elbasan, Shkodër e Vlorë. Nga këto incidente, 25% e tyre janë raste kanosje e dhune.
“Kemi të bëjmë me incidente të lehta ku më të dukshme kanë qenë dëmtimet e posterave të subjekteve elektorale. Këto zënë 65 % të numrit të përgjithshëm. 25 % e rasteve kemi të bëjmë më kanosje e dhune. Reagimi i policisë në këto raste ka qenë i menjëhershëm duke kryer veprimet konform ligjit dhe vazhdon me intensitet puna për zbardhjen e ngjarjeve në Vlorë, Kukës, Prezë e Shkodër”tha ai.
Ndërkaq lidhur me dorëheqjen e shefit të rendit në Kukës, Embro Zholi, Burgaj u përgjigj se ishte i pakënaqur për punën e tij.
22.06.2013
Burimi: Shekulli