Histori suksesi/ Gresa Latifi: Fatin e kemi vetë në dorë
Gresa Latifi është një nga ato raste frymëzuese që na tregon se këmbëngulja, puna, besimi tek vetja të bëjnë të arrish ëndrrën pavarësisht çdo rrethane apo pengese.
U lind në Gjilan, u rrit në një vend si Kosova, me probleme ekzistenciale.
Mori formimin bazë ashtu si të gjithë ne, në të njëjtat kushte.
Ishte pjesë e të njëjtit sistemi arsimor, ku metodologjia e mësimdhënies, literaturat e tre dekadave më parë, mungesa e teksteve bashkëkohorë të përkthyera në shqip qenë prezent në rrugëtimin e saj. Por kjo nuk qe pengesë që Gresa të këmbëngulte për t’i dhënë vetes mundësinë e arritjes së stadit më të lartë për një individ, që është vetërealizimi.
Pasi mbaroi studimet bachelor në fakultetin Ekonomik të Prishtinës për Menaxhim dhe Informatikë, ia doli me shumë vullnet të mbaronte me rezultate të shkëlqyera studimet master në Gjermani, në Friedrich Schiller University of Jenna, në degën e Ekonomiksit.
Tashmë ajo vazhdon studimet e doktoraturës me bursë në Universitetin Politeknik të Milanos në Itali, ku dhe është e angazhuar në mësimdhënie.
Gresa është nga ato raste që na tregon se nuk janë rrethanat që përcaktojnë kufijtë tanë.
Suksesi është i arritshëm nga kushdo që merr në dorë vetë fatin e tij dhe vrapon e nuk lodhet për të prekur atë për të cilën ndjen se është lindur, ëndrrën.
Më poshtë vijon Intervista me Gresa Latifin…
1.Keni fituar mundësinë të vazhdoni studimet e doktoraturës në një moshë tepër të re në Fakultetin Politeknik të Milanos. Një sukses ky i jashtëzakonshëm për një studente që vjen nga vende ku tradita arsimore nuk është ende e konsoliduar.
Cila ka qenë sfida jote më e madhe gjatë këtij rrugëtimi?
Sfida më e madhe në këtë rrugëtim ka qenë si të arrij ta mbaj vetën të motivuar sistematikisht e të mos heq dorë nga realizimi i ëndrrës, përkundër pengesave të natyrave të ndryshme (burokratike, financiare, kulturore etj.) që më janë shfaqur gjatë gjithë kohës.
Nëse flasim në terma konkret, sfidë mund të quaj kalimin nga Universiteti i Prishtinës në atë të Jena-s në Gjermani për studimet master si fillim.
2. Shumë njerëz e shohin të kryerit të studimeve jashtë vendit si një avantazh konkurues në tregun e punës. Sa mendon se ka ndikim ky faktor në suksesin profesional të një individi?
Studimet jashtë vendit, veçanërisht ato që kryhen në universitete prestigjioze të japin shumë, jo vetëm dije, por edhe eksperiencë e kulturë universale. Për më tepër, këto universitete ofrojnë mundësi të mira për të konkretizuar dijen.
Si rezultat i një ambienti të mirë punues ku teoria kombinohet mirë me praktikën dhe ku stimulohet mendimi kritik, ne arrijmë të dalim të përgatitur më mirë për tregun e punës kudo që ka nevojë.
3.Sa i takon suksesit, sa mendon se ndikojnë rrethanat dhe sa ndikim kanë përpjekjet tona individuale?
Suksesi individual është i lidhur ngushtë edhe me faktorë të tjerë të rëndësishëm.
Rrethanat mund të jenë shumë jofavorizuese siç ishin në rastin tim. Kjo për shkak të izolimit që po e përjeton Kosova më shumë se dy dekada, mirëpo dëshira e madhe dhe inkurajimi i familjes kanë eliminuar këto pengesa tërësisht.
4.Cila është ajo cilësi e nevojshme për sukses që ju e posedoni dhe që duhet ta kenë të gjithë njerëzit e suksesshëm?
Çelës i suksesit është puna e palodhshme (dhe e vazhdueshme) në objektivat që i ke vënë vetës.
5.Në një treg pune të rrëmujshëm si ai i Shqipërisë e Kosovës, ku shpesh nuk mjaftojnë vetëm meritat për të patur sukses, e të rinjtë që e duan patjetër këtë të fundit ndihen pak të çorientuar.
Çfarë do t’i këshilloje atyre të bënin për të arritur qëllimet që i kanë vetes?
Këshilla ime për të gjithë ata të rinjë që aspirojne suksesin është: Të ngriheni sa më shumë profesionalisht, të punoni shumë, të arrini kualifikimet e nevojshme, pastaj është vendi/puna që do t’iu kerkojë juve, e jo ju atë.
6. A duhet të kenë frikë prej dështimit ata që duan të mbërrijnë suksesin?
Eshtë njerëzore të kesh frikë, të gjithëve na ndodh t‘i frikësohemi të panjohurës në ndonjë moment. Por frikën nuk duhet ta lejojmë të na bëhet mënyrë jetese, aq më tepër të na privojë nga realizimi i ëndrrave.
Gresa Latifi: Ngërçi ekonomik kalon duke ndërtuar një sistem të fortë drejtësie
7.Ku mendon se qëndron ngërçi më i madh i ekonomisë shqiptare, dhe çfarë mendon se është gjëja më kryesore që duhet ndryshuar në këtë drejtim që situata të fillojë të zgjidhet?
Ngërçi ekonomik në Kosovë dhe Shqipëri nuk mund të themi asesi që ka bazë të njëjtë, aq më pak t’i qasemi dhe t’a analizojmë me të njëjtën metodologji.
Rrethanat politike dhe shoqërore nga ku filluan tranzicionin këto dy vende, nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën, qoftë nëse flasim për traditën shtetërore, ekonomike, kulturore apo edhe për rrethanat politike nga ku filluan rrugëtimin.
Tradita politike dhe kulturore prej nga vijnë vendet tona i ekspozohet një mentaliteti ekonomik i cili për herë të parë është ballafaquar me ekonominë kapitaliste në fillim të viteve 90′. Imagjinojeni një mentalitet shoqëror që ka bashkëjetuar shekuj të tërë me Perandorinë Osmane (e njohur për praktikat korruptive në secilin sektor), pastaj gjysmë shekulli me ekonominë e centralizuar të komunizimit, që papritur i ekspozohet ekonomisë së lirë të tregut.
Padyshim se kjo ka qenë dhe është një traumë shoqërore prej të cilës me vështirësi po rikuperohemi.
Megjithatë mendoj se koha e traumës tashmë ka kaluar, nuk ka kurrfarë arsyetimi për asgjë.
Në teori ka shumë mënyra se si të kalohen ngërçet ekonomike, mundemi të flasim sa të duam, mirëpo gjendja në terren na thotë se duhet të punojmë në ngritjen e një sistemi të fuqishëm të drejtësisë si një garant për joshjen e investimeve të huaja.
Këto të fundit janë nga faktorët kyç në fuqizimin e ekonomive qe vuajnë nga shifra të larta të papunësisë. Shembulli që mund ta marrim në këtë drejtim është praktika të cilën e ndoqi Sllovenia dhe Kroacia, pra filluan me forcimin dhe pavarësimin e sistemit të drejtësisë.
Është “dora e padukshme” e Adam Smith-it që do ta tregoj rezultatin pastaj. E ritheksoj, pa një sistem kredibil të drejtësisë nuk mund t’i garantojmë askujt asgjë.
Në dy anët e vendeve tona flitet për lloj lloj kushtëzimesh kur flasim për investitorët e huaj. Ata po tremben si nga burokratët po ashtu edhe nga bandat e ndryshme kriminale që kanë lidhje me qarqe shtetërore. Investitori funksionon në princip të sorkadhes, sapo dëgjon ndonjë shushurimë, ia mbathë me të katrat.
Në këto rrethana cila do të ishte arsyeja e një investitori për të zgjedhur më parë Kosovën apo Shqipërinë në vend të disa vendeve fqinje të cilat kane avancuar shumë në këtë drejtim?
8.A mendon se ka hapësira që të mundësojnë përmbushjen profesionale dhe nevojën për t’u zhvilluar si individ edhe në Kosovë?
Profesioni që aktualisht ushtroj në Itali dhe Holandë, nuk do të kishte të njëjtën trajtë në Kosovë dhe Shqipëri.
Kjo ndoshta ka të bëjë me nivelin e pakënaqshëm të zhvillimit ekonomik të vendeve tona dhe të relacionit që kanë ndërtuar me inovacionin si koncept, aq më shumë me inovacionin në ekonomi dhe financimin e ndërmarrjeve inovative si fusha të kërkimit shkencor me çka merrem aktualisht.
9.Sa të përditësuar të duken të rinjtë shqiptar me risitë më të fundit që ndodhin në botë?
Jetesa në kohën e internetit e ka bërë të mundur që çdo i ri apo e re të ketë mundësi të përditësojë veten me risitë që ndodhin në botë. Eshtë pastaj zgjedhje e tyre se me çfarë informacioni ata vendosin t‘a përditësojnë veten, çfarë iu intereson etj.
Por nëse i diskutojmë iniciativat kolektive për përditësimin e ta zëmë materialeve studimore me të cilat shërbehen studentët tanë sidomos gjatë studimeve të larta, jemi shumë larg.
Konkretisht, në universitetet publike në Kosovë, nuk ka përditësim të plan programit tash e dy dekada.
Literatura me të cilën shërbehen studentët në shumë lëndë (ka përjashtime) është shumë e vjetër, e gjymtë, e përkthyer keq, e paqartë.
Sa nuk është vonë, do të duhej që të ndërmerren masat e duhura që kjo anomali të evitohet. Qeveritë nuk duhet t‘i shohin e as t’i paraqesin rastet individuale të suksesit si parametra për të vlerësuar suksesin e një shoqërie respektive.
Gresa Latifi: Për implementimin e ideve inovative është i nevojshëm një medis përkrahës.
10. Sa rëndësi ka mjedisi ku një talent jeton në nxitjen e tij për të prodhuar dhe shpërndarë një produkt të ri?
Sjellja e një produkti të ri përmban në vete doza të konsiderueshme rreziku dhe investime të mëdha, rezultati i të cilave nuk dihet apriori.
Prandaj, për secilin individ që mendon jashtë kutisë (thinking outside the box) dhe mëton të sjellë në treg një ide të paprovuar më parë, duhet të ketë një ambient përkrahës që ndihmon materializimin e idesë. Nëse ky individ i talentuar punon brenda një kompanie, atëherë padyshim që ai mjedis do ta nxisë ose do ta dekurajojë atë.
11.Cili është projekti që ke në dorë për momentin, dhe ku e sheh veten tënde në një të ardhme jo shumë të largët?
Për momentin, jam duke hulumtuar një temë mjaft interesante që titullohet “High-growth Firms and Venture Capital in Dutch Regions”.
Është një bashkëpunim shkencor me Prof. Erik Stam nga Utrecht University.
Ndërkohë para tre ditësh mora një lajm shumë të mirë.
Punimi im “Venture Capital in Europe: Social Capital, Formal Institutions and Mediation Effects”, do të publikohet në revistën “Small Business Economics”, e që është një nga revistat shkencore më të respektuara në botë në fushën e sipërmarrjes.
Ndërkaq, e ardhmja e afërt më pret me plot punë e angazhime të reja në sferën akademike.
Klajdi Thaçi
19.02.2018