Hetimi në SHBA për skanimin e doganave? Pse ‘rastisi’ me afatin e Lu-së, për ‘peshqit e mëdhenj’?!
Analizë nga Ylli PATA
Hetimi në SHBA për skanimin e doganave
Hetimi i nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj një kompanie, që ka fituar para 4 viteve koncensionin e skanimit të kontenierëve në doganat shqiptare ka “rastisur”, që të ndodhë në një afat skadence, të përmendur nga ambasadori Donald Lu.
Agjencia financiare “Bloomberg”, shpalli se është gjetur një skandal në një kontratë të kompanisë “OSI System”.
Kjo, e njohur ndryshe si “Rapiscan”.
Sipas “Myddy”, kompania amerikane, që ka fituar konçensionin më 2013-n, shiti gjysmën e aksioneve tek një mjek shqiptar për 5 dollarë!
Skema sipas Bloomberg
Po sipas “Bloomberg”, kjo është një skemë, për të fshehur një ryshfet, që mund t’i jenë dhënë zyrtarëve shqiptarë nga ana e kompanisë amerikane.
Ky lajm ka tronditur “Rapiscan” në burse, duke ulur ndjeshëm vlerën e aksioneve.
Kjo situatë ka alarmuar aksionerët e kompanisë. A
ta kanë paditur krerët e“Rapiscan” dhe pritet të nisen hetime nga qeveria federale e SHBA.
Nëse ndodh kjo, atëherë loja hapet si vaji në lakra!
Zyrtarët e “Rapiscan” do të nxjerrin se kush është personi, që bleu aksionet me 5 dollarë dhe nga është kryer ky transaksion?!
I gjithë ky vrull hetimesh, ka “përkuar” me një periudhë të stigmatizuar.
Ambasadori amerikan, Donald Lu, e ka cilësuar si “sezoni i gjuetisë së peshqve të mëdhenj”.
Vetëm pak javë më parë, Lu-ja tha se nga janari do të “hamë peshq të mëdhenj”!
SHBA, ngulmuese për reformën në drejtësi
Duket se në këto lëvizje nuk ka rastësi. Ndoshta një koordinim preciz, që ka gjasa të përhapet së shpejti.
Dhe pritet të dalin fakte, jo vetëm për “Rapiscan”, por edhe për kontrata të tjera.
Është afera CEZ,?! Ngjyrosja e karburanteve, apo edhe transaksione të tjera, që kanë lënë gjurmë në lëvizjen e parave?!
Për këtë arsye, SHBA ka qenë ngulmuese për reformën në drejtësi dhe aktive në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka ngulmuar në largimin e Adriatik Llallës.
Madje e ka cilësuar të papërshatshëm për të hetuar “peshqit e mëdhenj”.
Ndaj e ka shpallur Kryeprokurorin si “non grata” , për ta vizituar SHBA-në dhe disa bashkëpunëtorë të afërt të tij.
Hetimi për çështjen e “Rapiscan” nis si një çështje ekskluzivisht amerikane.
Bëhet fjalë për qytetarët e SHBA, që kanë paditur kompaninë se i ka varfëruar.
Kjo, sepse shitja 49% e aksioneve të kontratës me qeverinë shqiptare, me vetëm 5 dollarë.
Hetimi amerikan pritet të bëjë publike transaksionet, që lëvizin nga kontrata e skanimeve.
Po ç’është kontrata e “Rapiscan”?
Kompania amerikane merr një shifër prej 30 eurosh për çdo kontenier, që futet dhe del nga doganat shqiptare.
Ajo ka paguar tek qeveria rreth 100 milionë dollarë.
Çdo ditë merr nga qytetarët miliona, që kalojnë tek dy degët e konsorciomit:
51% tek amerikanët e “OSI System” dhe 49% tek një mjek enigmatik shqiptar.
Ky i fundit i ka blerë këto aksione me vetëm 5 dollarë.
Rruga e transaksioneve të parave do të zbulojë shumëçka mbi destinacionin real.
Kjo, jo vetëm të parave fillestare, që ka paguar “Rapiscan”, por edhe rrugën e parave të përditshme që paguajnë shqiptarët e të huajt çdo në hyrjen e daljen e kontenierëve nga të gjitha pikat doganore në Shqipëri.
Pas nisjes së hetimit në SHBA, ka shumë gjasa që Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të kërkojë bashkëpunimin e Prokurorisë Shqiptare për të zhvilluar paralelisht hetime për këtë çështje.
Nga pala shqiptare, ka reaguar deri tani zëdhënsja e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ajo ka deklaruar se “zhurma që po bëhet në lidhje me çështjen synon që të heqë vëmendjen nga trafiku i drogës dhe implikimi i qeverisë së Edi Ramës”
Sipas zëdhënëses së ish-kryeministrit:
“Rapiscan është kompani lider dhe prestigjoze në botë për prodhimin e skanerëve dixhital dhe pamjet që merren nga doganat shqiptare transmetohen në kohë reale në të gjithë agjencitë ligjzbatuese të botës”.
Hetimi i nisur në SHBA nuk ka të bëjë me cilësinë e shërbimit.
Ka të bëjë me transaksionet e dyshimta të kontratës me Qeverinë shqiptare.
“Rastësia” kohore e nisjes së hetimit me deklaratën e ambasadorit Lu për “peshqit e mëdhenj”, duket se është pjesa intriguese.
Dhe që pritet që të shkaktojë turbullira në ditët në vazhdim…
Kompania, që ka nisur hetimet në SHBA e që u bë publike nga “Bloomberg” , është një nga aktorët e rëndësishëm, që kanë nxitur hetime në shumë vende të botës.
“Bloomberg” informoi se të dhënat i përkasin firmës amerikane, që fitoi tenderin e skanimit të kontenierëve në 2013-n.
Ndër vite, “Myddy” është shndërruar në një prej denoncuesve kryesore të aferave korruptive në të gjithë botën.
Nuk janë përjashtuar këtu vende me nivel korrupsioni shumë të ulët si SHBA, Gjermania apo Suedi.
Gjithashtu vende në zhvillim, si Brazili apo Kina.
Aferat e denoncuara nga “Myddy”
Një prej aferave më të mëdha të denoncuara nga “Myddy” , është ajo e kompanisë “Petroleo Brasileiro” (Petrobas), e cila pas denoncimit, u provua.
Nga drejtësia braziliane doli si fajtore për pagim rryshfeti, për të siguruar një megakontratë për ndërtimin e një fushe naftënxjerrëse në detë.
Çështja u gjykua edhe në Holandë, për shkak të kontratave të “Petrobas” në këtë vend.
Pas hetimit, drejtësia holandeze vendosi të gjobisë “Petrobas”-in me 240 milionë dollarë.
Në Kinë, hetimi i “Myddy Water, siç raporton “Financial Times”, solli burgosjen e dy drejtorëve të dy kompanive multimiliardere.
Ndërkohë, në Gjermani, “Myddy” shpalli skandalin e firmës “Stroer”.
Ajo nisi në vitin 2010 si një kompani publicitare pankartash, por brenda pak vitesh, njohu një rritje astronomike, duke u shndërruar në një prej klientëve të “Deutsche Bank”.
Pas raportimit të “Myddy”-t, drejtësia gjermane provoi se “Streor” kishte falsifikuar bilancet e saj.
Kjo, me qëllim fitimin e disa kontratave përmes mashtrimit të kompanive partnere.
Për Lajm Shqip
Ylli PATA