TIRANË- Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, gjatë mesditës së sotme, ekstradoi nga Roma, Itali, drejt Shqipërisë, të shumëkërkuarin për vrasje Jetmir Isuf Llani, vjeç 34, nga Kurbini.
“I ekstraduari Jetmir Llani, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 4 nëntor 2012 në Mamurras, ku mbeti i vrarë shtetasi Gentjan Shkreta dhe u plagos vëllai i tij Aurel Shkreta. Ky shtetas u arrestua me qëllim ekstradimi, me datë 20 nëntor 2012, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohë të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpol Roma Itali”, tha gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Tefik Sulejmani.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg“, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim“ , e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtjes pa leje, parashikuar nga nenet 78/2, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Në aeroportin “Nënë Tereza“ në Rinas, ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
HASMERIA MES FAMILJEVE
Dikur shokë të ngushtë që nga fëmijëria, vëllezërit Jetmir e Muharrem Llani janë bërë armiq të përbetuar të djemve të familjes Shkreta, duke shënuar brenda 5 muajsh, 3 të vrarë dhe 2 të plagosur.
Më 4 qershor, dy palët ishin zënë mes tyre për një shuplakë të dhënë nipit të familjes Shkreta, i akuzuar për një vjedhje në dyqanin e miqve të Llanëve. Debati vijon për disa orë, duke degjeneruar me sharje dhe kërcënime, për të ndodhur të nesërmen atentati me pasojë vrasjen e një fëmije vetëm 9 vjeç.
VRASJA E ENDRI LLANIT
Mesditën e datës 5 qershor, djemtë e familjes Shkreta përgatitën atentatin ndaj ish-shokëve të fëmijërisë. Rreth orës 14:00 Muharrem Llani, 22 vjeç, bashkë me kunatën kishte marrë në shkollë në qytetin e Mamurrasit nipin 9 vjeç dhe fëmijë të tjerë dhe po kthehej me makinën e tij “Wosksvagen” në shtëpi, në Shpërdhet të Kurbinit. Në afërsi të Urës së Drojës, në Fushë-Mamurras u është zënë pritë nga dy vëllezërit. Sapo kanë parë makinën që po afrohej me shpejtësi të ulët për shkak të rrugës së amortizuar, autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku. Plumbat kanë zënë makinën në të gjitha anët, por fatale ishin për 9-vjeçarin, i cili ndodhej në sediljen e parë.
Fëmija ndërroi jetë brenda pak minutash, ndërsa xhaxhai u plagos. Brenda në makinë kishte edhe fëmijë të tjerë, të cilët ishin ulur me nënën e viktimës në sediljen e pasme, por që shpëtuan pa plagë. Pas ngjarjes, policia ka mundur të identifikojë si të dyshuar kryesor për ngjarjen vëllezërit Altin dhe Oligert Shkreta, të cilët u arrestuan më vonë njëri pas tjetrit.
Këta të fundit reaguan në polici se nuk e dinin që kishte fëmijë brenda në makinë, por kishin pasur në shënjestër xhaxhanë e 9-vjeçarit. Jetmir Llani, në momentin e varrimit të të birit, deklaroi hapur se do të hakmerrej për jetën e djalit.
VRASJA E MARK SHKRETËS
Më 19 korrik ndodhi vrasja e parë. Mark Shkreta, babai i dy djemve të akuzuar për krimin ndaj 9-vjeçarit u ekzekutua në mes të Tiranës, aty ku familja ishte transferuar nga frika e hakmarrjes. Në orën 16:30, në rrugën “Hoxha Tahsim” 71-vjeçari Shkreta ka dalë nga pallati ku banonte prej disa javësh. Pas disa metrash, ai është përballur me një person i cili është afruar përballë 71-vjeçarit nga Mamurrasi dhe e ka qëlluar dy herë me armë zjarri.
ATENTATI NDAJ VËLLEZËRVE SHKRETA
Atentat djemve të familjes Shkreta, në të njëjtin vend ku u vra 9-vjeçari Endri Llani. Plot 5 muaj pas vrasjes së djalit të vogël të Jetmir Llanit, humb jetën në pritë 31-vjeçari Gentian Shkreta dhe plagoset i vëllai, Emanueli, 29 vjeç. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në Fushë-Mamurras, pranë Urës së Drojës, pikërisht aty ku gjatë një atentati të dy vëllezërve Shkreta ndaj Muharrem Llanit plumbat i morën jetën nipit të tij të mitur. I dyshuari për këtë atentat është Jetmir Llani, i cili sipas Policisë ka marrë hak për krimin ndaj të birit. 33-vjeçari Llani dyshohet se në bashkëpunim me të vëllanë të ketë zënë pritë në zonën nga ku do të kalonin dy vëllezërit Shkreta, në rrugën e vjetër nacionale që lidh Tiranën me Shkodrën.
15.01.2013
Burimi: Balkanweb