Për dy netë me radhë, emisioni Opinion në TV Klan, iu dedikua vjedhjes më të madhe të çerekshekullit të fundit në Shqipëri. Skandalit të rafinerisë së naftës ARMO. Tri kompani e kanë menaxhuar, privatizuar apo marrë me qera, njëra pas tjetërs, industrinë e përpunimit të naftës në Shqipëri. Duke u larguar në mënyrë të mistershme e duke lënë pas rreth 750 milion dollarë detyrime tatimore, doganore, paga e sigurime shoqërore të punëtorëve pa paguara.
Emisioni dhe të ftuarit, u përpoqën të hedhin dritë mbi maskaradën që është bërë në dëm të shtetit. Me lejen dhe bekimin e vetë qeverive dhe ministrave që kanë patur nën drejtim industrinë. Skema ka qenë e thjeshtë dhe nuk ka mbetur më për të zbuluar se çfarë është bërë me industrinë e naftës në vend.
Pronarët, që ka rezultuar të jenë njerëz të afërt me qeveritë, fillim prezantoheshin si shoqëri të huaja. Nuk investonin asnjë kacidhe për përmirësimin e teknologjisë, por vetëm e shfrytëzonin atë. Ata nuk paguanin detyrimet ndaj shtetit dhe pasi akumuloheshin shuma të mëdha, e shisnin rafinerinë apo shpallnin falimentin.
Por dëmi nuk është vetëm financiar. Kompanitë kanë furnizuar tregtarët e naftës brenda vendit. Me mijëra ton naftë vergine, një nënprodukt i naftës që nuk mund të hidhet në treg pa u rafinuar në impiante moderne jashtë vendit.
Për pasojë, ne kemi blerë me çmimin e naftës së importit, naftën e përzierë me nënproduktin vergine. Një karburant shkatërrues për makinat, shkatërrues për mjedisin dhe shkatërrues për financat e konsumatorëve. Ish drejtori i policisë së Fierit, sot drejtor i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, në një ndërhyrje telefonike në emision deklaroi:
“Ka pasur një vjedhje marramendëse. Ne vendosëm një oficer policie të Krimit Ekonomik tek porta e uzinës. Më pas me urdhër nga lart u hoq. Ne kapëm një tren me 13 vagona që gjithsej mbanin 730 ton naftë vergine. Ajo është gropa më e zeze e ekonomisë shqiptare”
Të gjitha provat e bëra publike deri tani nuk vënë në dyshim faktin se vjedhja është bërë në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të shtetit dhe qeverive.
Ajo që mbetet tashmë, si pyetja më e madhe, është nëse do të përgjigjet kush për këtë vjedhje të tmerrshme të pasurisë së shqiptarëve apo jo. Dhe kjo pyetje u shkon vetëm atyre që kanë marrë përsipër, apo do të marrin përsipër, të bëjnë drejtësinë.
Ne jemi sy e veshë hapur për të parë rezultatet e drejtësisë së re.
Por këto rezultate në presim ti shohim në radhë të parë kundër atyre që kanë orkestruar, toleruar dhe përfituar nga zhvatja e pasurive kombëtare.
Një borxh gjigand prej rreth 750 milion dollarë do të mjaftonte të rrëzonte cdo qeveri në botë. Do të çonte pas hekurave së pari evazorët. E më pas ata që e tolëeruan këtë evazion. Drejtësia nuk matet me nurmin e të arrestuarve. Por matet me forcën e saj përballë abuzuesve të mëdhenj. Ndaj për të rikthyer besimin e shkatëruar të drejtësisë tek qytetarët, duhet kurajo për të prekur të paprekshimit.
Ata që me paratë e zhvatura atdheut të tyre, kapardisen si elitë e sipërmarrjes dhe shoqërisë. Nëse ne nuk do të shikojmë të arrestuar njerëz që janë përgjegjës për vjedhjen me përmasa historike që është bërë në industrinë e naftës, anjë institucion, nuk do të ketë moral ti kërkojnë qytetarëve të thjeshtë të zbatojnë ligjin.
Për Lajm Shqip
Mentor Kikia