Për herë të parë grekët kundërshtojnë grekët racistë për hapjen e shkollës shqipe në Khania të Kretës
Shkolla ku mësohet gjuha shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Kania të Kretës është dhunuar nga vandalët greke.
Mësimi i kësaj të diele ka qenë i vështirë për shkak të vandalizmave që kishin kryer kundërshtarët e kësaj iniciative.
Mediat serioze greke raportojnë se mesnatën e të shtunës persona të panjohur kishin hyrë në mjediset e brendshme të shkollës.
Ata kishin hedhur vaj makinash në klasat e shkollës, kishin kyçur me dryna dyert me idenë për të penguar zhvillimin e mësimit.
Veprimet vandale kanë ndeshur me reagimin kundërshtues të banorëve grekë, autoriteteve lokale dhe të komunitetit shqiptar.
“Megjithë këtë akt të pamoralshëm”, nënvizon ERT, “më shumë se 40 vogëlushë shqiptarë e bënë normalisht mësimin në gjuhën amtare.
Në oborrin e shkollës për inkurajim dhe solidaritet ishin mbledhur arsimtarë, përfaqësues të institucioneve dhe të komunitetit shqiptar.
Të pranishmit shprehën mbështetjen e tyre ndaj kësaj të drejte të pamohueshme të fëmijve të emigrantëve shqiptarë.
Në muret e shkollës kishte parrulla ku shkruhej: “Jo ksenofobisë, racizmit dhe fashizmit”.
Kishte banderola “Shkolla të hapura për të gjithë fëmijët”, “Jo racizmit dhe neonazistëve”.
Antonis Vardakis, shef i departamentit të arsimit në bashkinë Chania, tha se mësimet do të vazhdojnë.
“Mësimet do të vazhdojnë në këtë shkollë. Ky është vendim i këshillit bashkiak. Fëmijët janë brenda në klasë dhe po zhvillojnë mësimin e tyre”.
Grekët kundërshtojnë njëri-tjetrin për hapjen e shkollave shqipe në Greqi
Shkolla javore shqipe në gjimnazin Nr. 1, ka pasur vazhdimisht incidente, shkaktuar prej një pakice që kundërshton mësimin e gjuhës shqipe.
Kryetari i Komunitetit të Shqiptarëve në Kanias, Afrim Avdiaj, e ka përballuar gjithë këtë situatë të vështirë me stoicizëm dhe maturi.
Duke foluar për mediat, Avdiaj falenderoi pjesën më të madhe të shoqërisë vendase dhe autoritetet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj kësaj iniciative.
Serafim Rizos, kryetar i sindikatës së arsimtarëve të Khanias, i jep një dimension tjetër mbështetjes së të drejtës së fëmijve për mësimin e gjuhës amtare.
“Sot ne izoluam një minorancë, e cila kreu vandalizma në shkollë, me qëllim që të pengonte zhvillimin e mësimit. Sot i dhamë një shuplakë të fuqishme fashizmit, racizmit, Agimit të Artë dhe bashkudhëtarëve të tyre”.
Sipas kryetarit të Komunitetit Shqiptar, Afrim Avdiaj mësimet e gjuhës shqipe në gjimnazin Nr. 1 të Chaniasë do të zhvillohen çdo të dielë, nga ora 17:00 deri në 19:00.
Engjëll Seriani
12.02.2018