Hetimi zbardhet mekanizmin si vepronte ish-polici me familjen e tij dhe të miqve të tij. Si u ngrit ferma në një zonë ushtarake dhe lista e pagave e harruar në tunel
Prokurori ka nisur hetimet në lidhje me zbulimin e një baze të kultivimit të drogës vetëm pak metra larg aeroportit të Rinasit ndërsa bëhet me dije se ndërhyrja ka ndodhur në kohën kur brenda atyre ambienteve, që bëhet fjalë për një tunel, janë gjendur vetëm gratë e punësuara. Sipas të dhënave bëhet me dije se gjithçka ka ndodhur nga mbajtja në përgjim e njërit nga personat e përfshirë në grup ndërsa në ambientet e brendshme të tunelit mësohet se u gjend një sasi droge e paketuar dhe një sasi tjetër në përpunim e sipër.
Të dhënat konfidenciale bëjnë me dije se përveç punonjëseve, të cilat janë shoqëruar, marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lira, janë me dhjetëra emra që janë gjendur në një listë të harruar në ambientet e tunelit, listë që kishte të bënte me pagat e të gjithë punonjësve. Mes tyre dyshohet e gjenden edhe emra të punonjësve të policisë, ndërkohë që kjo e fundit nuk bën me dije se prej sa kohesh dyshohet që mund të ushtrohej në atë vend aktiviteti i trafikut të drogës. Nëpërmjet burimeve hetimore është mësuar se mes grave të shoqëruara gjenden edhe vajza të moshës së re të cilat nuk shkojnë në shkollë për punojnë me nënat dhe motrat e tyre në tunelin e drogës.
Arrestimi i babait me dy djemtë, i tre vëllezërve dhe i një djali të ri me precedent penal ndodhi dy ditë më parë, ndërkohë që prokuroria e Tiranës, e Durrësit dhe ajo e Krujës janë në kërkim të të gjithë emrave të përfshirë në listën e punëtorëve dhe të bashkëpunëtorëve. Kështu në fermën e kanabisit që policia zbuloi në vendin e quajtur “Pylli i Zenelajve”, ndërmjet Fushë Prezës edhe Valiasit, punonin gra dhe vajza të cilat kanë treguar se kujdeseshin për kultivimin, prerjen dhe paketimin e bimës narkotike. Femrat i kanë thënë policisë se këtë veprim e kryenin për shkak të gjendjes ekonomike mjaft të vështirë në të cilin jetonin ato dhe familjet e tyre.
Sipas burimeve ato shpërbleheshin me 2 mijë lek për ditë pune, ndërkohë që transportimi i tyre kryhej në mënyrë të organizuar me një furgon që herët në mëngjes, mekanizëm ky që ka ndodhur prej shumë vitesh e madje nën hundën e policisë në fakt. Kultivimi dhe tregtimi i kanabisit organizohej nga ish-polici Nexhmi Kallari, së bashku me 6 bashkëpunëtorët e tij, të cilët u arrestuan ditën e shtunë. Policia e Tiranës tha se kishte mbajtur nën vëzhgim këtë grup por nuk sqaroi sa kohë kishte që ushtronte aktivitetin ndërsa do të jetë prokuroria tani që do të kërkojë masën e arrestit të të arrestuarve në Gjykatë!
Për “Lajm-Shqip”
Jera Gega
23/10/2017