Pajtimi i pasluftës mes Francës dhe Gjermanisë është shenjtëruar në një traktat që u firmos 50 vjet më parë. Por shumë besojnë se një këngë që u regjistrua një vit më vonë, bëri po aq shumë për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
A mundet të ketë një këngë që me të vërtetë ndryshoi botën?
Ka pasur natyrisht shumë këngë që janë bërë mjaft popullore dhe disa prej tyre kishin ndonjë mesazh. Por a mundet një këngë që të ndryshojë zemrat dhe mendjet e njerëzve të zakonshëm? A mundet që një këngë të ndryshojë politikën?
Këtu po flasim për një këngë që e bëri diçka të tillë, dhe që ne sot pothuajse nuk e dimë fare që ka ekzistuar.
Pesëdhjetë vjet më parë, Gjermania dhe Franca ishin fqinje, ku shenjat e luftës qenë ende të freskëta.
Barbara ishte emri i saj i skenës. Ajo lindi në vitin 1930 me emrin Monique Serf, në Paris. Për shkak se ishte nga një familje hebraike, u bë objekt i nazistëve. Por dy dekada pas përfundimit të luftës, ajo udhëtoi në qytetin gjerman të Gotingenit, pra më shumë pranë shpirtit gjerman sa mund të shkohet.
Barbara ra në dashuri me qytetin dhe popullin e tij dhe regjistroi një këngë lavdëruese për të, fillimisht në frëngjisht, pastaj në gjermanisht, gjuha e ish-pushtuesit. Ajo këndoi “Herman, Peter, Helga dhe Hans”. Lexuesi mund të pyesë: cilët qenë ata? Miqtë apo të dashurit e saj?
Ajo fitoi zemrat e publikut gjerman në teatrin e Gotingenit dhe u bë hit. Një rrugë mori emrin e saj, ndërsa qyteti i dha “Medaljen e Nderit”. Fjalët e këngës qenë një lutje e qetë dhe emfatike për mirëkuptim. Popullariteti i këngës së saj dha një kontribut të madh për ripajtimin franko-gjerman.
Siç thotë kënga:
“Natyrisht, ne kemi Senën
dhe parkun Vincenes
O Zot, trëndafilat janë të mrekullueshëm
Në Gotingen, në Gotingen”.
Dhe më pas:
“Por fëmijët janë të njëjtë,
Në Paris apo në Gotingen.
Koha e gjakut dhe urrejtjes
Mos u ktheftë kurrë
Sepse ka njerëz që dua
Në Gotingen, në Gotingen”.
Gerhard Schroeder ishte një student që merrte pjesë në sallë.
Ai më vonë u bë Kancelar i Gjermanisë dhe i përdori fjalët e këngës në një fjalim për përkujtimin e 40-vjetorit të traktatit të Elizesë për pajtimin mes Francës dhe Gjermanisë, një fjalim që u mbajt dhjetë vjet më parë.
Ai tha: “Isha një student doktorant në Gotingen kur ajo erdhi të këndojë. Ajo hyri në zemrat tona, si nisje e një miqësie të mrekullueshme mes dy vendeve”.
Duke dëgjuar këngën sot, është e lehtë të kuptohet jehona që bëri në atë kohë. Ajo mbetet e mrekullueshme dhe diskuese, një himn për dashuri me një nuancë trishtimi.
Barbara kishte arsye të bollshme për të qenë e trishtuar. Pati pësuar abuzim seksual nga i ati dhe kishte kaluar luftën duke u fshehur nga nazistët, duke lënë Parisin për Jugun dhe pastaj duke kaluar nga një shtëpi në një tjetër për të shmangur identifikimin nga kolaboracionistët që mund ta kishin dorëzuar te vrasësit.
Pasi përfundoi luftën, ajo u kthye në Paris dhe filloi të marrë leksione kënge e pianoje në Konservatorin e Parisit. Por qe kabareti çfarë e tërhoqi. Kënga e saj e parë e shumëdëgjuar ishte “Barbara, këndo Barbara”.
Pastaj erdhi “Gotingeni”. Në Francë ajo ishte një yll. Rrugët morën emrin e saj. Një pullë kishte portretin e saj. Kur ajo vdiq më 1997-n, një çerek milioni njerëz shkuan në funeralin e saj.
Por e gjitha kjo ishte thjesht diçka jetëshkurtër e biznesit të spektaklit – këngë hit dhe reklamat apo fotot në gazeta, gjithçka ishte spektakël.
Ajo që ka ende rëndësi është kënga. Në fund të fundit, a ka ndonjë këngëtar që mund të pretendojë se ka bërë më shumë për të ndryshuar botën për mirë?
“Gotingen” u regjistrua menjëherë pas një nga fjalimeve politike më të mëdha të shekullit. Presidenti Charles de Gaulle i Francës shkoi në qytetin gjerman të Ludvigsburgut dhe iu drejtua të rinjve të Gjermanisë, sërish në gjuhën e tyre.
“Për të gjithë ju, unë kam urimet më të përzemërta”, tha ai. “Ju uroj për faktin që jeni të rinj.”
Ai pati kaluar shumicën e luftës në Londër si udhëheqësi në ekzil i Francës së lirë dhe u kthye në Francë, ndërsa armiku gjerman po detyrohej të tërhiqej. Për këtë arsye, fjalimi i tij në gjermanisht kishte rëndësi. Historianët e mbajnë atë fjalim si shumë domethënës.
Por cila ishte më e rëndësishme për zemrat e të rinjve në Francë dhe Gjermani – fjalimi i gjeneralit apo kënga e një vajze?
Barbara, gruaja me të zeza
Lindi në vitin 1930 me emrin Monique Serf në Paris, fëmija i dytë i një tregtari hebre lëkurësh kafshësh.
Familja u detyrua të lëvizë shumë herë gjatë pushtimit gjerman dhe në fund u arratis, pasi u denoncua si familje hebrenjsh.
Studioi muzikë në Paris, pastaj shkoi në Bruksel, ku për herë të parë doli në skenë me emrin e fëmijërisë së gjyshes së saj.
Gjeti sukses të konsiderueshëm në vitet 1960-1970.
Gjithmonë vishej me të zeza në skenë.
Bëri fushatë kundër HIV.
Vdiq në vitin 1997.
Çfarë thanë udhëheqësit për të
Kancelari Gerhard Schroeder: “[kënga] shkoi menjëherë në zemrat tona.”
Presidenti Jacques Chirac: “Ajo ishte talent, intensive, me prani të fuqishme në skenë dhe me pasion.”
Kryeministri Lionel Jospin: “Një grua që e njihte vuajtjen dhe kuptoi vuajtjen e të tjerëve.”
26.01.2013
Burimi: Gazeta Shqip