CEZ paralajmëron të tjera risqe në planin financiar
Kush pret që CEZ të kryejë investime këtë vit, do të zhgënjehet. Aktualisht kompania vë në diskutim aftësinë për të paguar importet, pasi gjoba e fundit, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vetëm sa e ka komplikuar më shumë situatën financiare të shoqërisë çeke.
Për shkak të mosfaturimit të një pjese të energjisë elektrike, që CEZ e konsideron të humbur dhe nuk është e logjikshme të llogaritet, Tatimet kanë dalë me konkluzionin se shoqëria duhet të paguajë shtesë 4 miliardë lekë (30 milionë euro) nga TVSH-ja. Gjoba është vendosur në muajin gusht. CEZ thotë se e ka paguar gjysmën e ndëshkimit, por ky veprim po shkakton efekte të tjera negative. Në ditët kur po diskutohet nevoja për të importuar nga CEZ, kompania thotë se tashmë e ka të vështirë t’u përgjigjet në kohë reale detyrimeve. Duket se gjoba vetëm sa ka acaruar më shumë palët dhe se problemet kanë hyrë në një fazë tepër komplekse.
Mund të na thoni si qëndron e vërteta rreth gjobës së Tatimeve? Cila është shuma dhe për çfarë arsyeje?
Detyrimet shtesë tatimore dhe gjoba e lëshuar nga Drejtoria e Tatimeve është në vlerën rreth 4 miliardë lekë. Ne kemi paguar një pjesë të kësaj shume, 2.1 miliardë lekë, në mënyrë që të mundësonim apelimin e saj. Me pak fjalë, Drejtoria e Tatimeve pretendon TVSH dhe taksë mbi të ardhurat për energjinë që nuk u është faturuar klientëve dhe për të cilën kompania nuk ka asnjë të ardhur.
Sa mund ta cenojë ky ndëshkim planin e investimeve dhe më tej portofolin e shpenzimeve për import të energjisë elektrike?
Pagesa e 2.1 miliardë lekëve brenda një periudhe më pak se një muaj, ka krijuar një barrë të rëndë financiare për kompaninë. Kjo shumë korrespondon me atë të shpenzuar gjatë një muaji për importe të larta. Në vend që të përdorej kjo shumë për të kryer importin e energjisë, CEZ Shpërndarje u detyrua t’ia paguante atë Drejtorisë së Tatimeve, duke mos qenë më në gjendje të siguronte importe për fillimin e shtatorit. Aktualisht, ne do të përdorim mjete financiare të disponueshme, nëse ka të tilla, për të garantuar importin. Sot, ne ishim në gjendje të siguronim importet për ditët në vazhdim, por situata financiare e kompanisë mbetet e komplikuar. Qasja e Drejtorisë së Tatimeve ka impakte të mëtejshme negative dhe për rrjedhojë, nëse nuk ka përmirësime, do të ketë impakte negative tek investimet gjithashtu.
A.Kola
Shkaku: “Tatimet pretendojnë TVSH dhe taksë mbi të ardhurat për energjinë që nuk u është faturuar, për të cilën kompania nuk ka të ardhura”
Detyrimi: “Në vend që të përdorej kjo shumë për të kryer importin e energjisë, CEZ Shpërndarje u detyrua t’ia paguante atë Tatimeve”
“Ne do të përdorim mjete financiare të disponueshme, nëse ka të tilla, për të garantuar importin”
Përplasja
Kësaj here, për importet e munguara. Reagon kompania
Tjetër ndëshkim për CEZ nga ERE, 4 milionë euro
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka gjobitur së fundmi me rreth 4 milionë euro kompaninë CEZ për mospërmbushje të detyrimit ligjor për të importuar energji. Sipas vendimit të zbardhur në faqen zyrtare të ERE-s, CEZ gjobitet në masën 1 për qind të të ardhurave vjetore të vitit paraardhës, ose 430 milionë lekë, për mosprokurimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve. Një javë më parë, kompania çeke iu drejtua zyrtarisht ERE-s, se nuk mund të vazhdonte dot me importet, për shkak të gjendjes së vështirë financiare. Sipas CEZ-it, kjo situatë lidhet me një sërë ngjarjesh të pafavorshme për të, mes të cilave edhe marrja e një gjobe të madhe, rreth 30 milionë euro, sipas saj të padrejtë nga Tatimet. Por ky nuk është problemi i vetëm financiar për kompaninë që ka monopolin e shpërndarjes së energjisë. Në mbledhjen e fundit, ERE i ka refuzuar asaj edhe lejen për të marrë një kredi nga BERZH.
Në fakt, kredia është nënshkruar që vitin e kaluar dhe parashikon marrjen e një borxhi prej 100 milionë eurosh nga CEZ. Gjysma e shumës është disbursuar tashmë, pasi u garantua nga kompania mëmë në Pragë, ndërsa për gjysmën tjetër CEZ, i kërkoi Entit Rregullator ta lejonte që të vinte si garanci asetet e saj në sistemin energjetik shqiptar. Pikërisht kjo kërkesë është refuzuar nga Enti Rregullator i Energjisë.
Burime zyrtare nga Enti thanë për “Top Channel” se nuk mund të lejojnë vendosjen peng të aseteve ekzistuese të sistemit energjetik shqiptar, pasi ky do të ishte rrezik. Sipas këtyre burimeve, Enti do të pranonte ta shqyrtonte kërkesën vetëm nëse CEZ do të vendoste si garanci investimet e reja që do financohen me këto fonde.
Menjëherë pas publikimit të vendimit nga Enti Rregullator, për gjobën ka reaguar kompania CEZ. Përmes një deklarate zyrtare, kompania çeke sqaron se përfaqësuesit e saj kanë qenë pjesëmarrës në mbledhjen gjatë së cilës është diskutuar për gjobën.
Por siç bën të ditur CEZ, vetëm dje është njoftuar zyrtarisht nga Enti në lidhje me këtë vendim, i cili po shqyrtohet nga kompania. Në lidhje me vendimin për refuzimin e kredisë me BERZH, CEZ deklaron se, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga ERE, ndaj dhe nuk mund të komentojë mbi këtë çështje. Tashmë kompania jo vetëm që nuk mund të investojë sipas planit të vendosur me miratim nga ERE, rreth 35 milionë euro (totali i vitit 2012), por është vënë në vështirësi për të importuar atë pjesë të energjisë, që nuk arrin ta mbledhë në tregun vendas (humbjet).
Situata
Penalizimi: CEZ gjobitet në masën 1% të të ardhurave vjetore të vitit paraardhës, për mosprokurimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve
Kompania: Kompania çeke, CEZ sqaron se përfaqësuesit e saj kanë qenë pjesëmarrës në mbledhjen gjatë së cilës është diskutuar për gjobën
“Nuk mund të lejojnë vendosjen peng të aseteve ekzistuese të sistemit energjetik shqiptar”
16.09.2012
Burimi: Gazeta Shqip