70-vjeçari nga Sotira e Dropullit udhëhoqi grupin e shpëtimit drejt vendit ku kishin humbur 4 alpinistë gjirokastritë.
70-vjeçari Lefter Goga udhëtoi për rreth 6 orë bashkë me skuadrën që ndërmori operacionin e gjetjes dhe shpëtimit të alpinistëve.
Grupi i alpinistëve amatorë humbën rrugën gjatë zbritjes nga mali i Murganës mbasditen e së dielës.
Errësira e natës nuk i lejoi 4 alpinistët të vazhdonin përpjekjet për gjetur rrugën prandaj e kaluan natën në mal.
Kontakti i fundit me familjen ka qenë pasdite, të cilët njoftuan policinë dhe kërkuan ndërhyrjen e saj për gjetjen dhe shpëtimin.
Alpinistët Elvis Ballo, Theodhori Dhima, Enea Lici dhe Florentino Muho të moshës 25 vjeçare mbetën 20 orë të izoluar.
Grupet e shpëtimit të policisë dhe zjarrfikësve nisën kërkimet që në mesnatë duke u gdhirë e hënë por më kot.
Mëngjesin e së hënës ndrejt shpateve të malit të Murganës fluturoi një helikopter i emergjencave civile.
Ndonëse helikopteri identifikoi vendodhjen e alpinistëve, përpjekjet për shpëtimin e tyre dështuan par shkak të terrenit të vështirë.
Tmerri i alpinistëve të bllokuar në fund të humnerës morrën fund vetëm kur mbërriti grupi i shpëtimit nga toka.
Udhërrëfyes i grupit të shpëtimit Lefter Goga nga fshati Sotirë në kufi me Greqinë tha se gjetja ishte e vështirë.
“Në këtë pjesë të malit ka patur të tjera episode të humbjes së bashkëfshatarëve dhe të kufitarëve. Murgana është një mal me shumë humnera dhe shtigje të rrezikshme”, tha udhërrëfyesi shtatëdhjetveçar.
Në ndihmë policisë dhe zjarrfikësve të Gjirokastrës erdhën edhe efektivat e Delta-Forcës. Me ndihmën e litarëve policët dhe zjarrfikësit tërhoqën katër alpinistët nga humnera.
Mali i Murganës është një nga më të preferuarit për ngjitje nga alpinistët për shkak të peisashit dhe terrentit të tij.
Tre nga alpinistët e bllokuar në mal ishin nga Gjirokastra dhe njëri nga fshati Dervician i Dropullit të Poshtëm.
Alpinistët u transportuan në Gjirokastër me plagë të lehta dhe të traumatizuar por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Për Lajm-shqip
Engjëll Serjani