Gjirokastër, 28.12.2017 / Reshjet e pandërprera të dy ditëve të fundit kanë rikthyer rrezikun e përmbytjeve si ato të fillim dhjetorit në Gjirokastër.
Të ngjashme mund të lexoni:
Vërshimi i ujërave jashtë shtratit të Përroit të Çullos e ka bërë të pakalueshme qarkullimin në unazën që lidh lagjet periferike të Granicë me lagjen Gërhot. Banorët e lagjes së re në Gërhot me banesa të ndërtuara pas vitit 1990 janë të rrezikuar.
Ata i tremben përsëritjes së përmbytjeve të para një muaji.
Për këtë arsye i janë drejtuar bashkisë për masa paraprake dhe ndihmë në rast rreziku. Grupet e emergjencës të bashkisë kanë shkuar me mjete për ta mbajtur situatën nën kontroll. Kryetarja e bashkisë Zamira Rami tha për Lajm-Shqip se:
“Pas përmbytjeve të fillimit të dhjetorit Bashkia Gjirokastër ka bërë disa ndërhyrje provizore për sistemimin e shtratit të përroit të rrezikshëm në këtë zonë problematike. Por kjo nuk mund të quhet ndërhyrje përfundimtare. Për të sistemuar ujërat e përroit kërkohet një projekt më i plotë. Jemi në terren për të përforcuar masat parandaluese”.
Në këtë zonë, sipas Ramit, gjendja vazhdon të mbetet problematike. Sipas saj, për një zgjidhje përfundimtare, duhet një projekt dhe investim më i madh, që nuk mund të përballohet nga nga buxheti i bashkisë. Terreni i aksidentuar malor në të cilin shtrihet qyteti muze i Gjirokastrës, përshkohet nga më shumë se dhjetë përrenj malorë të cilët bëhen problematik në rast reshjesh intensive.
Për Lajm Shqip
Engjëll Serjani