Një monument unikal për nga arkitektura dhe teknika e ndërtimit është në rrezik rrënimi. Ai kërkon ndërhyrje urgjente restauruese. Ky është Kroi i Selckës, Gjirokastër.
Kroi i Selckës në Gjirokastër, ky monument unikal ndodhet sot në rrezik rrënimi.
Alarmi vjen nga vetë banorët e nga komuniteti i emigrantëve në SHBA me orgjinë nga Selcka. Kroi me kupolë i Selckës ndodhet në qendër të fshatit Selckë. Ky fshat konsiderohet i fundit në radhën e fshatrave të Lunxhërisë. Ekspertët e monumenteve e konsiderojnë si monument unikal. Si për nga tipologjia dhe teknika e realizimit. Ai daton i shekullit të XVIII-të. Kohë kur zona ishte nën administrimin e Ali Pashë Tepelenës.

Momentalisht gjendet në gjendje rreziku sidomos kupola, që është elementi unikal që e identifikon si të veçantë monumentin. Trarët e kupolës janë amortizuar dhe rrezikojnë të shëmbin çatinë, duke e nxjerrë nga lista monumentin e kategorisë së parë. Kroi është “monument i kategorisë së parë”, shpallur në 1984 me vendimin nr. 786/1 të ish-Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Fshati Selckë është pjesë e njësisë administrative Pogon të bashkisë Dropull. Historikisht njihet si fshati i Pandeli Sotirit, mësuesit të Shkollës së Parë Shqipe në Korçë.
Selcka konsiderohet pjesë e Lunxhërisë të njohur në Ballkan për ustallarët. Si dhe ndërtuesit e veprave hidroteknike, urave dhe krojeve. Lunxhiotët ishin ndërtuesit dhe administratorët e sistemeve të kanalizimit dhe furnizimit me ujë të pishëm të Stambollit. Selcka ndodhet në një lartësi prej 800 m mbi nivelin e detit. Aty shkohet nëpërmjet një rrugë tepër të dëmtuar. Fshati ndodhet në një distancë prej 32.9 km nga Gjirokastra. Prej së cilës 12 km janë të pa shtruara me asfalt. Gryka e Selckës është shtegu i vetëm për të udhëtuar nga Lugina e Drinos në krahinat malore të Pogonit e Zagorisë.
Për Lajm-Shqip
Engjëll Serjani