Kryeministri i vendit Edi Rama ishte sot në Fier ku takoi gratë e këtij qyteti për festën e gruas, atë të 8-marsit.
Rama zhvilloi edhe një video me gratë e fierake gjë e cila nuk është mirëpritur nga aktivistja Brisida Gjikondi, duke quajtur një cinizëm veprimin e tij.
E ftuar në Ora News, Gjikondi tha se për një kryeministër ky veprim nuk është aspak i përshtatshëm.
Ajo shtoi se fjalori i kreut të qeverisë tregoi qartë realitetin në vend.
Pjesë nga deklarata:
“Gruaja shqiptare jeton në një cikël korruptiv në çdo ambient ku ajo ndodhet dhe është për të ardhur keq. Ajo e sotmja në Fier ishte gjëja më e shëmtuar që tregon realitetin shqiptar. Cinizmi dhe neveria që shfaqte kryeministri në fjalët që përzgjidhte për gratë ishte realiteti shqiptar. Përçmimi që kishte edhe kur i trajtonte ato tregon të gjitha ku ndodhemi.Edukimi mund ta bëjë gruan të njohë të drejtat e saj. ‘A-ja’ është arsimimi dhe më pas vjen organizimi.
Jo vetëm në familje, por edhe në median e shkruar, elektronike promovohet gruaja si objekt seksi, jo si subjekt. Kjo ndodh edhe në Parlament edhe në qeveri, ka femra me imazh të këndshëm, por pa integritet. Ajo që ndodh në familje është pjesë e atij sistemi maskilist. Gruaja shihet si objekt, ku mediokret kanë kapur vende kyçe dhe ato më të zgjuarat janë në shtëpi. Jemi në një krizë identiteti të grave”, tha Gjikondi.
Visar Quni
09.03.2019