Fino akuzon Dukën: “Futbolli shqiptar, lodër e pak personave”.
Deputeti socialist Bashkim Fino, në fjalën e tij para votimit në Asamblenë e FSHF-së, ka kërkuar votën e anëtarëve të pranishëm, në garë përballë rivalit Armando Duka.
Fino kundër Dukës: Futbolli shqiptar, lodër e pak personave…
Në fjalën e tij, Fino u shpreh se platforma e tij do të sigurojë kalimin e prapambetjes së varfërisë ku e ka lënë sot futbollin FSHF.
“Përmes votës suaj ne mund ta reformojmë futbollin.
Nuk kërkoj votën për cilësitë e mia personale.
Unë kërkoj të më votoni për platformën që unë propozpoj, për kalimin e prapambetjes së varfërisë ku e ka lënë sot futbollin FSHF.
Me keqardhje konstatoj se futbolli shqiptar sot është i sëmurë. Kampionati shqiptar sot është një nga kampionatet me besueshmëri më të ulët në Europë.
Në shumë raste një lodër e pak personave.”
Fino u shpreh ndër të tjera, se nuk i takon Dukës merita për realizimin e disa investimeve, pasi këto investime janë bërë me fondet e federatës dhe jo me paratë e tyre personale.
“Çështja është se me çfarë efektiviteti janë investuar fondet, dhe me çfarë kriteresh, a ka patur preferenca?
Cili është raporti mes investimeve dhe shpenzimeve për paga dhe lukse të federatës?
Asambleja ju ka dhënë besimin, ju e keqpërdorni atë”, tha Fino ndër të tjera.
07.02.2018