I bekuar nga natyra por i braktisur nga shteti. Fshati Lin është një gadishull i vogël i ndodhur vetëm pak kilometra larg nga qyteti i Pogradecit. Ndonëse është perlë e natyrës, duket se gjithçka është lënë jashtë vëmendjes nga shteti shqiptar. Prej vitesh nuk është kryer asnjë investim.
Ndërsa kjo ka bërë që turistët ta braktisin çdo ditë e më shumë. Shqetësimi kryesor mbetet mbajtja e bagëtive brenda në fshat duke e shndërruar në një zonë të papastër.
Fshati Lin i bekuar nga natyra, i braktisur nga shteti
Teksa hyjmë në fshat takojmë banorë të moshës së tretë. Të rinjtë i sheh shumë të pakët në numër pasi kanë emigruar, kjo pasi nuk kanë asnjë të ardhme në vendin e tyre. Banorët thonë se janë gjunjëzuar para varfërisë se tejskajshme. Edhe pse mbajtja e bagëtive është problem serioz për turizmin ata thonë se kjo është e vetmja e ardhur për banorët e zonës së Linit.
“ Është fshati më i bukur në gjithë Shqipërinë. Një gadishull i bekuar nga natyra. Një perlë natyrore, por nuk dimë ta shfrytëzojmë. Askush nuk investon këtu. Shteti nuk ekziston aspak për ne. Kujtohen vetëm për fushata elektorale. Ankohen për mbajtjen e bagëtive brenda në fshat. Është e drejtë ankesa. Por s’kanë zgjidhje tjetër sepse blegtoria është e vetmja e ardhur për këtë zonë. Të rinjtë kanë emigruar sepse ska asnjë të ardhur këtu. Është e turpshme që shteti ka lënë në mjerim zonën tonë”.
Kështu ka përfunduar fjalën e tij një prej banorëve te fshatit Lin. Avram Shegani jeton vetëm me bashkëshorten e tij ndërsa fëmijët janë larguar në Europë. Ndërsa thonë se shteti prej vitesh i ka lënë në harresë ata apelojnë për ndihmë. Bizneset po shkojnë drejt falimentit.
Banorët pohojnë se shteti mendon vetëm fushata elektorale duke e lënë këtë zonë si në mesjetë. Fshati Lin ndodhet rreth 20 kilometra larg qytetit të Pogradecit. Ndërsa ka mbetur i lënë në harresë prej vitesh nga instancat përkatëse.
Për lajm-shqip:
Ledjona Xheladinaj
04.05.2018