Kanë mbetur vetëm 5 ditë nga dorëzimi i 3 formularëve të vetëdeklarimit. Rreth 500 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës kanë dhënë dorëheqjen nga detyra. Në total janë rreth 13 mijë punonjës që do kalojnë procesin e vetëdeklarimit, nga Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Nga këta, 11 mijë janë vetëm punonjës të Policisë së Shtetit. Dorëheqjet filluan që në nisje të procesit të vetingut, më datë 5 prill.
Vetëm gjatë javës së fundit janë larguar me dëshirë nga Policia 200 punonjës. Shifrat u bënë publike dje nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit. Motivi i dorëheqjeve, më shumë se frika nga vetingu, duket se ka qenë paqartësia në plotësimin e formularëve apo edhe koha që sipas tyre ka qenë e pamjaftueshme.
Frika nga Vetingu/ Pesë ditë para dorëzimit të formularëve, 500 policë ikin me dëshirë …

DOKUMENTET
Nga ana tjetër, qindra efektivë vijojnë të jenë të paqartë sa i përket dokumentacionit shoqërues. Ata shprehen se, ligji i vetingut e parashikon qartë që dokumentet janë të domosdoshme. Megjithëse zv.ministri i Brendshëm, në disa intervista është shprehur se dokumentet nuk janë të nevojshme. Punonjësit e Policisë vazhdojnë të mbledhin dokumentacionin.
“Nëpërmjet medias jemi njohur me deklaratat e zv.ministrit se dokumentet nuk duhen. Por ne deri tani nuk na ka ardhur një udhëzim me shkrim apo telegram që të na konfirmohet zyrtarisht ky fakt. Në këto kushte jemi të detyruar të zbatojmë ligjin. Ligji thotë që duhen dhe ne po përpiqemi t’i grumbullojmë, nëse do kemi kohë”, shpreheshin disa punonjës policie.
PUNA INFORMALE
Një punonjës policie që ka përfituar të ardhura nga punë informate që mund të kenë kryer, mjafton t’i deklarojë në formularin e pasurisë dhe nuk kërkohet asnjë dokument shoqërues. Por edhe këto të ardhura e kanë një limit. Vetingu pranon deri në 1.5 milionë lekë të rinj, të përfituara jashtë kontrollit tatimor.
Ky “lëshim” në funksion të vetingut në polici ka ardhur pasi qindra punonjës policie pranojnë të kenë punuar “në të zezë”, si brenda dhe jashtë vendit. E për të justifikuar të ardhurat e përfituara në informalitet, është gjetur si zgjidhje vetëm deklarimi i tyre në formular. Kjo pa pasur nevojë për ndonjë dokument shoqërues. Në një intervistë që dha pak ditë më parë për gazetën “Panorama”, zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, foli edhe për punën që shumë punonjës policie mund të kenë kryer në “të zezë”.
Sipas tij, mjafton thjesht që të deklarohen të ardhurat që janë përfituar nga puna informate dhe gjithçka është në rregull. Madje, ai premtoi që në rast se do ketë ndonjë pasaktësi apo gabim në përllogaritjet e pasurisë, askush nuk do të penalizohet.
Për lajm-shqip:
Jorida Fataj