Genta Kaloçi, psikologe, shokoi opinionin publik me statusin që publikoi në rrjetin social, ku i gëzohej vdekjes së fëmijëve, prindërit e të cilëve janë figura publike apo të artit.
Foto/ Psikologia iu gëzua vdekjes së djalit të shkrimtares, dikur kandidate e PKSH-së
Genta Kaloçi, e njohur si psikologe, gazetare dhe poeteshë në Shqipëri, ka habitur të gjithë, duke shprehur kënaqësi për vdekjen e djalit të vetëm të shkrimtares Flutura Açka, në moshën 18 vjeçare. Komenti i saj po bën xhiron e rrjeteve sociale. Ajo ka krijuar irritim tek të gjithë, por edhe mbështetje tek simpatizantë të regjimit komunist. Kaloçi e shikon fatkeqësinë e koleges si diçka të merituar, për shkak të bindjeve antikomuniste, që Açka ka shprehur herë pas here. Sipas saj, kjo nuk është fatkeqësi, por drejtësi.
Jo vetëm kaq, por ajo ndjehet mirë që gjithashtu të tjerë figura publike si ajo, të konsideruar si antikomunistë nuk kanë më fëmijë, duke përfshirë: Visar Zhitin, Spartak Ngjelën, Avenir Pekën, Maks Velon etj. Sipas saj, ky është një ndëshkim nga Zoti për padrejtësinë e qëndrimeve të tyre.
“Përse pasardhësit e kollosit nuk i ka goditur fati me fatkeqësi natyrore”, shprehet Kaloçi.
Komenti ka gjetur përkrahjen e shumë prej mbështetësve të ideologjisë komuniste. Ata janë shprehur gjithashtu me gjuhë urrejtje ndaj Açkës dhe atyre që mbrojnë atë.
Po kush është Genta Kaloçi?
Ajo është kandidate e Partisë Komuniste Shqiptare, ithtare e diktaturës komuniste, madje edhe e Nexhmije Hoxhës, gruas së diktatorit Enver Hoxha. Fotot që ka postuar në rrjet tregojnë më së miri angazhimin e saj në rradhët e Partisë Komuniste, i thur lavde diktatorit Hoxha dhe nuk kursen shfaqjen e dashurisë për Nexhmije Hoxhën.
Për lajm-shqip:
Jorida Fataj
08.05.2018