Në datën 24 Janar 2018, fondacioni Fundjava Ndryshe zhvilloi takimin informues në ambientet e sallës Rilindja të Universitetit “Ismail Qemali” me të rinjtë e Vlorës.
Në këtë takim përfaqësuesit e qëndrës rajonale Vlorë, në drejtimin e koordinatorit Hajredin Dizdari, kanë prezantuar historinë e fondacionit.
Fondacioni Fundjava Ndryshe në takimin e radhës me të rinjtë e Vlorës.
Fondacioni ka filluar si një dëshirë për të ndihmuar njerëzit në nevojë me nismën e parë në datën 27 Nëntor 2015 tek Bregu i Lumit në Tiranë. Janë prezantuar gjithashtu rezultatet e jashtëzakonshme të Fundjavës Ndryshe e cila në vitet 2015-2017 ka ndihmuar mbi 15 000 familje në nevojë, 300 nga këta janë nxjerrë nga varfëria ekstreme.
Ata iu kanë dhënë 8 ton ushqim dhe 3,5 ton veshje në muaj.

Janë përfshirë mbi 40 000 njerëz , 940 fshatra janë vizituar dhe 3740 subjekte private kanë dhuruar mjete dhe materiale të ndryshme. Vlera e punës së Fundjavës Ndryshe është mbi 3 miliard lekë të vjetra!
Qendrat rajonale të Fundjavës Ndryshe ndodhen në Vlorë, Tiranë, Peshkopi, Elbasan, Durrës dhe Pogradec.
Në plan është hapja e qëndrave në çdo qark të Shqipërisë.
Një fakt interesant është që Fundjava Ndryshe ka si pjesëtarë të rinj dhe te reja, të cilët organizojnë gjithë aktivitetet.
Përvec Bordit Drejtues, anëtari më i madh në moshë është një 24 vjeçar koordinator i Qendrës së Vlorës.
Fundjava ndryshe ka marrëveshje me Shërbimin Social Kombëtar, Bashkitë dhe Agjencitë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, gjithashtu me Ambasadat Greke, Amerikane dhe Holandeze.
Për të aplikuar në universitetet evropiane një nga kriteret e pranimit është përfshirja në aktivitetet e bamirësisë. Fundjava ndryshe i jep studentëve këtë mundësi duke i pajisur me çertifikatë pasi ata zhvillojnë një aktivitet vullnetar 3 mujor në një nga qëndrat e FD.
Fundjava Ndryshe beson se të zhdukësh varfërinë ekstreme në Shqipëri nuk është e vështirë, mjafton ta duash Shqipërinë.
Por të gjitha këto parime, vlera kaq të rëndësishme të ndërmarra në një mision që synon rritjen e mirëqënies sociale dhe luftën kundër varfërisë, kanë një ideal të madh në krye.
Një ideal për të cilin luftojnë.
“Një shoqëri solidare, me shtresa të ekuilibruara ekonomikisht, që siguron kushtet e nevojshme për zhvillim të barabartë.”
Për lajm-shqip
Vladimir Muçaj