Florije Peçi, vajza e aksidentuar në Himarë, që shkaktoi trazim në opinionin publik pas lajmit se kishte mbetur shtatzënë gjatë kohës që kurohej, ka lindur fëmijën.
Mësohet se ajo ka lindur fëmijën e seksit femër në spitalin “Mbretëresha Geraldinë”.
Pas lindjes, vajzës së vogël, sipas prokurorisë, do t’i merret një sasi e vogël gjaku, e cila do t’i nënshtrohet ekzaminimit të ADN-së këtu në Shqipëri dhe Austri, për të krahasuar me personat e dyshuar si autore të përdhunimit të saj.
Studentja Peçi, sipas kallëzimit të familjarëve, është abuzuar seksualisht brenda në klinikën ku po mjekohej pas aksidentit të pësuar. Ky përdhunim, sipas familjarëve, është kryer në kohën kur vajza ndodhej në gjendje koma. Lindja e fëmijës pritet të zbardh misteret e këtij përdhunimi.
Dramë në familjen e Florije Pecit. Studentja e degës së Gjuhë-Letërsisë, që u aksidentua rëndë në tragjedinë e Himarës, është përdhunuar në klinikën mjekësore në Austri, pikërisht në shtetin ku ajo u dërgua nga shteti shqiptar për kurim profesional. Krimi monstruoz dyshohet se është kryer nga ndonjë prej personave brenda stafit të klinikës, gjatë kohës kur Florije Peci ka qëndruar në gjendje kome. Misteri i këtij krimi të paprecedentë në historinë e kriminalistikës shqiptare, tashmë do të hetohet nga prokuroria, për të hedhur më tepër dritë rreth asaj që ka ndodhur me shtatzëninë e studentes Florije Peci. Vëllai i kësaj të fundit, Gazmend Peci, i është drejtuar me një kallëzim penal Prokurorisë së Përgjithshme, ku kërkon hetimin e menjëhershëm të këtij skandali dhe vënies para përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtij krimi të rëndë, qofshin këta shtetas shqiptarë, por edhe austriakë. Tashmë pritet që prokuroria shqiptare të nisë hetimet për të mësuar më shumë rreth misterit të shtatzënisë së studentes Florije Peci, e cila ka qëndruar për disa muaj me radhë në gjendje kome.
04.06.2013
Burimi: Gazeta-Tema