Fshesa nuk prek nëpunësit e administratës që premtojnë votën dhe anëtarësimin në PD
Lufta e ashpër elektorale që po zhvillohet në Qarkun e Fierit, duket se ka sjellë “tradhtarë” edhe në radhët e LSI-së. Pas largimit të drejtuesve të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim nga kabineti qeveritar e nga postet e tjera politike dhe kalimi i saj në koalicionin opozitar, nisi një “fshesë” në administratën publike, ku nisën të largoheshin një pjesë e mirë e punonjësve që aderojnë në këtë forcë politike. Ndonëse faktin e largimit të militantëve të LSI-së nga administrata e bëri publik edhe lideri i tyre, Ilir Meta, ka rreth një javë e gjysmë që ky “spastrim” është ndalur.
“Tradhtarët”
Pasi kaluan vetëm pak ditë prej largimit të LSI-së nga koalicioni qeveritar dhe pas dorëheqjes së zyrtarëve të kësaj force nga funksionet politike në administratë, zëvendësuesit e tyre të cilët i përkasin PD-së nisën një spastrim të gjithë atyre që ishin punësuar nën siglën e LSI-së. Kjo “fshesë” zgjati rreth dy javë në Qarkun e Fierit, por ka disa ditë që është ndalur, duke mos prekur një pjesë të militantëve të LSI-së, të cilët janë punësuar në administratë gjatë katër viteve të fundit. Bëhet fjalë kryesisht për punonjës të thjeshtë të administratës, të cilët duket se e kanë ruajtur vendin e punës duke “tradhtuar” partinë e tyre që u mundësoi një rrogë mujore. Kryesisht, mësohet të kenë qenë raste kur pjesëtarë të së njëjtës familje kanë qenë të punësuar gjatë viteve të fundit nën siglën e LSI-së dhe largimi nga detyra do t’u rrezikonte mbijetesën, pasi do të pushoheshin nga puna. Burime të besueshme të gazetës pranë LSI-së së Fierit kanë pohuar se kjo pjesë nuk është larguar nga administrata publike, pasi dyshohet që të kenë pranuar ofertat e Partisë Demokratike duke u bërë pjesë e saj ose duke premtuar votat e tyre dhe të të afërmve në favor të së djathtës. Gjithashtu, edhe nga burime të besueshme pranë PD-së së Fierit, është mësuar se një pjesë e anëtarëve të LSI-së kanë preferuar të japin votat e tyre në favor të PD-së dhe duke aderuar në këtë parti. Të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore mësohet se morën një urdhër verbal nga krerët e PD-së në qendër e rrethe, me anët të të cilit u kërkohej largimi nga puna ose heqja nga çdo post drejtues të atyre nëpunësve, të cilët janë anëtarë të LSI-së. Nga burime të gazetës mësohet se në mbledhje të PD-së së degës së Fierit ka pasur sugjerime nga drejtuesit e institucioneve të ndryshme, të cilët kanë kërkuar që nga kjo “fshesë” të mos preken ata kuadro, të cilët kontribuojnë pozitivisht në punë me profesionalizimin e tyre. Por, krerët e PD-së u kanë kërkuar që të largohen të gjithë ata që votën nuk e japin në favor të PD-së, qoftë edhe pse mund të jenë me kualitete profesionale pozitive, theksojnë burimet. Ky presion duket se ka detyruar një pjesë të anëtarëve të LSI-së që punojnë në administratë, të pranojnë ta “tradhtojnë” partinë e tyre.
Strategjia e PD-së
Kjo rrjedhje votash e LSI-së pritet të ndikojë negativisht për gjithë kampin opozitar. E majta synon që gjatë zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit të sigurojë të paktën 10 deputetë në Qarkun e Fierit, duke u lënë të djathtëve vetëm gjashtë. Për shkak të sistemit zgjedhor që kërkon një numër të caktuar votash për të siguruar një vend në Parlament, rrjedhja e votave të LSI-së, pritet të vërë në rrezik një mandat të majtës. Pikërisht ky mësohet të ketë qenë edhe qëllimi i demokratëve, të cilët kanë zgjedhur të mbajnë një pjesë të militantëve të LSI-së në administratë, duke u kërkuar atyre votën. Gjithashtu, duke ditur epërsinë e Partisë Socialiste në qytetin e Fierit Partia Demokratike do ta përqendrojë forcën e saj në fshat, prej nga pret të sigurojë të paktën gjashtë deputetë dhe një tjetër në favor të aleatëve të saj.
Qarku i Fierit
Gjatë 20 viteve të fundit, Qarku i Fierit është dominuar gjatë gjithë kohës nga Partia Socialiste. Edhe në vitin 2009, partia Demokratike arriti të sigurojë vetëm gjashtë deputetë, kundrejt nëntë deputetëve te Partia Socialiste dhe një LSI-ja. Pas Tiranës, Qarku i Fierit është i dyti në vend për sa i përket popullsisë dhe numrit të mandateve të përfaqësimit në Parlament. Fakti se PS-ja ka një numër më të madh deputetësh se nga PD në këtë qark, e djathta ka mobilizuar gjithë forcat dhe ka përdorur çdo mënyrë me qëllim që të demoralizojë elektoratin e majtë. Një nga strategjitë që PD zgjodhi për të ushtruar këtë presion ndaj elektoratit të majtë ishte uzurpimi që i bëri Këshillit të Qarkut Fier, ngërçi i të cilit vazhdon të mbetet ende i pazgjidhur edhe pas vendimeve të gjykatës të dhënë në favor të PS-së dhe ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.
02.05.2013
Burimi: Gazeta Shqip